English

Përplasja në Kuvend me Metën, replika e plotë e Ruçit

Tiranë, 7 tetor 2010 NOA Update - Në një replikë me zëvendëskryeministrin Ilir Meta Gramoz Ruci e akuzoi atë se po bëhet thjesht zëdhënësi i mazhorancës dhe harron se ç’ka ndodhur në 2005 kur vetë Ilir Meta pati bërë kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e zgjedhjeve. Reagimi i Ruçit erdhi pasi Meta tha se “opozita nuk ka të drejtë në lidhje me kërkesën për objektin e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve dhe se kërkesat e saj janë antikushtetuese”.

Në replikë me Metën Ruci deklaroi se komisioni në 2005 kishte të njëjtin objekt hetimi me atë që po kërkon opozita sot, prandaj zëvendës kryeministri duhet të deklarojë nëse ka pasur të drejtë në 2005 apo nëse ai komision ka qenë antikushtetues. Sepse, u shpreh Ruci, LSI dhe zëvendës kryeministri nuk mund të kenë dy qëndrime për të njëjtën gjë.

Më poshtë vijon replika e plotë e Ruçit:

Nuk do marrë shumë kohë. Zoti zv. kryeministër të dëgjova që në emër të mazhorancës i bëre apel opozitës se ajo nuk ka të drejtë, se kërkesa e saj është antikushtetuese. Duke të ndjekur nga vendi shtroja pyetjen:

Ky parafolës kur kishte të drejtë në 2005 kur bëri kërkesën për komisionin hetimor dhe ky parlament ja miratoi, me atë objekt hetimi që kërkon dhe sot opozita, apo sot që bëhet zëdhënësi i kësaj mazhorance?

Ose ka pasur të drejtë në 2005 e s’ka sot, ose nuk ka patur të drejtë në 2005 dhe ka sot. Kemi si në 2005 edhe në 2009 të njëjtën Kushtetutë, nuk ka ndryshuar, edhe në 2005 edhe në 2009 i njëjti ligj për komisionet nuk ka ndryshuar.

Kemi një kërkesë edhe në 2005 edhe në 2009 me të njëjtin objekt hetimi. Atëherë ishte antikushtetuese, atëherë ishte antiligjore, kur ky grup që i bëhet apel sot plotësoi numrin e deputetëve 28 që ai parlament që ishte të ngrinte komisionin hetimor sipas pretendimeve që kishte LSI?

Nuk ka dy të drejta për të njëjtën gjë, një është, ose ke patur të drejtë atëherë ose tani je thjesht nxënës i qëndrimit politik të mazhorancës me të cilën bashkëqeveris.

Ndryshe duhet hedhur poshtë ai vendim, ai zbatim i nenit të Kushtetutës, ai objekt, ai ligj në zbatim të kësaj kërkese permanente që nuk ndryshon aspak nga rasti i 2005. Prandaj kushdo mund ta kontestojë kërkesën e opozitës por të paktën juve nuk mund ta kundërshtoni dot.

***

Duke reaguar ndaj një prononcimi tjetër të Ilir Metës i cili u shpreh se do ta mbështeste PS duke i dhënë votat e LSI për ta çuar çështjen e hetimit të zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese, Ruci deklaroi se Meta nuk ishte koherent dhe se në 2005 PS i kishte dhënë atij votat pro ngritjes së komisionit hetimor dhe jo për ta çuar çështjen në Gjykatë Kushtetuese.

Ai i bëri thirrje Ilir Metës që nëse i qëndron fjalëve që ka thënë të deklarojë votën pro ngritjes së komisionit të kërkuar nga PS.

“Të dëgjova përsëri zoti Meta por nuk ishe koherent deri në fund. Në 2005 unë nuk të dhashë firmën dhe votën për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Unë në 2005 të dhashë firmën dhe votën për të ngritur komisionin hetimor. Sot nuk të kërkoj firmën dhe votën për të vajtur në Gjykatën Kushtetuese. Nëse do të jesh koherent dhe të bësh përtej si unë në 2005, atëherë jep votën për ngritjen e komisionit hetimor siç ta kam dhënë unë në 2005. Në qoftë se beson vërtet tek ajo që the jep votën, deklaro votën pro ngritjes së komisionit hetimor. Kështu do të ishe vërtet ky që je”.

e.r/NOA

KOMENTE