English

Pittella: Heqja e vizave, ka kontribut edhe lideri i opozitës, Edi Rama

Tiranë, 7 tetor, NOA – Miratimin e raportit për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen nga Parlamenti Evropian e ka përshëndetur edhe zëvendëspresidenti i PE-së, Gianni Pittella.

Përfaqësuesi i të majtës në presidencën e PE-së, Pittella e cilësoi 7 tetorin si një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi Parlamenti Europian votoi me një mazhorancë të gjerë, prej 538 votash rezolutën për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

“Unë e di personalisht pasi kam folur shumë herë me qytetarët, sidomos me të rinjtë shqiptarë, se sa e kanë përzemër këtë problem i gjithë komuniteti shqiptar dhe e përsëris veçanërisht të rinjtë, djemtë e vajzat shqiptare”, deklaroi zëvendëspresidenti i PE-së.

Duke e cilësuar si një sukses të të gjithëve vendimin e PE-së, Pittella i njohu në këtë aksion kontribut të veçantë edhe liderit të opozitës Edi Rama.

“Unë dua t’i njoh kontributin partisë sime shqiptare, liderit të kësaj partie, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, për presionin, që ka ushtruar në mënyrë konstante dhe insistuese ndaj të gjithëve ne, që të arrihej në këtë rezultat kaq të rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Pittella.

Sipas tij është e gabuar që ky rezultat të njihet si meritë e dikujt.

Në këtë kontekst ai i ka bërë apel qeverisë shqiptare të hetojë dhe bëjë transparente votat e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

“Qeveria të mendojë për të zgjidhur problemin që ka kërkuar Parlamenti të zgjidhet, domethënë transparencën e plotë mbi zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri, përmes një komisioni hetimi që mund të sqarojë gjithçka e mbi të gjitha të krijojë kushtet që qytetarët shqiptarë në të ardhmen të mund të votojnë me qetësi të plotë dhe në kushtet e transparencës më të plotë e të thellë”, apeloi zoti Pittella.

“Ndaj nuk duhet të merren përsipër spaletat e të thuhet se ky është fryti im”, theksoi Pittella, duke shënjuar se “unë nënvizova kontributin e të gjithëve e midis kontributit të të gjithëve nënvizova kontributin e partisë sime”.

“Shpresoj që ky argument, ky rezultat dhe ky sukses të mos shërbejë si një pretekst i mëtejshëm për t’i njohur merita vetes, nga ana e atyre, që në rastin më të mirë nuk mund të pretendojnë më shumë sesa t’i ndajnë këto merita me të tjerët”, pohoi zëvendëspresidenti i PE-së, Gianni Pittella.

Gjatë këtyre ditëve, një delegacion i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i përbërë nga deputetët Ermelinda Meksi, Taulant Balla, Valentina Leskaj dhe Ditmir Bushati morën pjesë në mbledhjen e grupit Social Demokrat në Parlamentin Europian ku kërkuan mbështetjen e 189 eurodeputëteve socialdemokratë për rezolutën e liberalizimit të vizave.

Deputetet mësohet të kenë siguruar socialistët europianë se “shqiptarët e meritojnë heqjen e vizave, pas 20 vjet pritje të gjatë, duke marrë edhe mbështetjen unanime të Grupit Socialdemokrat për rezolutën e lëvizjes së lirë pa viza për shqiptarët.

mit/NOA
KOMENTE