Tiranë, 7 tetor, NOA – Prokuroria e Vlorës, në kuadër të hetimeve të pasurive ndaj njërit prej krerëve të organizatës pulieze, “Sacra Corona Unita”, Albino Prudentino, bën me dije se ka vendosur në sekuestro aktivitetet tregtare, shoqëritë anonime “Betting System Albania” dhe Bet Plus, ku djali i tij, Angelo Prudentino rezultoi të ishte aksioner, deri përpara arrestimit të të atit.
Gjithashtu, në zbatim të ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë", Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, mbi bazën e kërkesave të drejtuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ka vendosur sekuestron ndaj shoqërive tregtare Cassino Italia, Betting System Albania dhe Bet Plus.
Prokuroria po punon me intensitet për grumbullimin e provave të mëtejshme ndaj personave të përfshirë në veprimtari të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Gjithashtu kjo prokurori po heton edhe për identifikimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive të disponuara nga personat nën hetim, apo lidhjet e tyre në zbatim të ligjit procedural penal dhe ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë".
mit/NOA