English

Shijojeni të gjithë këtë ditë europiane

Shijojeni të gjithë këtë ditë europiane kujtimesh të vjetra e parafytyrimesh të reja motra e vëllezër pa dallim sepse kjo është dita juaj e shumëpritur, jo e politikës që e vonoi kaq shumë dhe kaq padrejtësisht për ju këtë ditë

Nga Edi Rama

Kryetar i Partisë Socialiste

Kjo është padyshim një ditë e bukur për Shqipërinë dhe një ditë e rrallë për kënaqësinë që u sjell qytetarëve shqiptarë në këto kohë të vështira.

Vota e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave hap dyert e Europës për çdo qytetar të këtij vendi dhe lajmëron fundin e peripecive njëzetvjeçare të shqiptarëve për një leje lëvizjeje në Europë të quajtur vizë; fundin e rropatjeve të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi nëpër gjithfarë radhësh para ambasadave e konsullatave të Bashkimit Europian për një liri e të drejtë që hyn në liritë e të drejtat themelore të njeriut; fundin e arratisjeve nga atdheu duke kapërcyer ilegalisht kufijtë nga toka e nga uji qoftë edhe për të vizituar në spital vëllanë emigrant në dhe të huaj....

Ne shpresojmë shumë që pas kësaj Franca e lirisë, barazisë dhe vëllazërimit nuk do të ndahet nga vendet e tjera kur kjo votë e Parlamentit Europian të marrë formë përfundimtare në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian, ku shqiptarët e burgosur pesëdhjetë vjet në mes të Europës nga diktatura komuniste dhe tash njëzet vjet të pamundur të lëvizin lirisht në Europë aspak për fajin e tyre po për papërgjegjshmërinë e paaftësinë e qeverisë së tyre, nuk e meritojnë kurrsesi një votim jokonsensual në nëntor.

Madje sot është dita për të shprehur jo vetëm kënaqësinë e jashtëzakonshme që më në fund muri i vizave ra për qytetarët e Shqipërisë e të Bosnjës, por edhe për të bërë apelin që ky mur të mos vonojë të bjerë edhe për qytetarët e Kosovës.

Të cilët vërtet jetojnë në një shtet të ri por kanë njësoj si gjithë të tjerët të drejtën të lëvizin lirisht në Europën e popujve të lirë.

Dua të falënderoj përzemërsisht në emër të opozitës shqiptare të gjithë ata miq e partnerë që ndihmuan për realizimin e kësaj dëshire të hershme duke vënë në vend një të drejtë të munguar pafundësisht për qytetarët e këtij vendi.

S’besoj se është e tepërt të falënderoj veças socialisten europiane Tanja Fajon, e cila e kreu me pasion e zotësi detyrën e saj duke dëshmuar në çdo hap kurajë e vullnet për të thënë të vërtetën e madhe se liberalizimi i vizave është një liri dhe e drejtë që Europa ua jep shqiptarëve pa dallim.

Sa për paradën e kryeministrit sot nuk dëshiroj të bëj asnjë koment në respekt të shqiptarëve pa dallim bindjesh e përkatësish politike, të cilët janë mjaftueshmërisht të mençur e të rrahur me vajin e me uthullën e këtyre njëzet vjetëve sa ta kuptojnë vetë se lëvizja e tyre e lirë është një projekt europian dhe një vullnet europian dhe se çdo rrahje gjoksi para ekraneve këtu në Tiranë për përfshirjen e Shqipërisë në hartën e Europës pa viza është thjesht qesharake. Sidomos pas kaq shumë vitesh vonesë e mbetjesh vjeshtë pas vjeshte në klasë jo për faj të Europës, e as me pak të popullit shqiptar.

Sot kanë fituar shqiptarët, ka fituar edhe vetë Europa, e cila është çliruar më në fund nga ankthet e makthet e kufijve të mbrojtur prej të huajve që dolën prej njëzet vjetësh në dritën e lirisë pas rënies së perandorisë të acarit komuniste, ndër të cilët krejt padrejtësisht shqiptarët u etiketuan rëndom si problem.

Sot është një ditë e bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët që për të ardhur këtu u nisën në 2 korrik të vitit 1990 duke kapërcyer kangjellat e ambasadave, duke marrë anijet, duke ikur maleve, duke shpikur gjithfarë marifetesh që janë pjesë e historisë së njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët prej njëzet vjetësh çfarë nuk kanë shpikur e provuar për t’u hedhur matanë murit të vizave.

Shijojeni të gjithë këtë ditë europiane kujtimesh të vjetra e parafytyrimesh të reja motra e vëllezër pa dallim sepse kjo është dita juaj e shumëpritur, jo e politikës që e vonoi kaq shumë dhe kaq padrejtësisht për ju këtë ditë.

e.r/NOA

KOMENTE