English

Shqipëri-Gjermani, një vështrim fotografik

Tiranë, 7 tetor, NOA/Milena Selimi - Shqipëria, 20 vjet pas rënies së komunizmit nga këndvështrimi gjerman dhe Gjermania, 20 vjet pas ribashkimit të saj nga këndvështrimi shqiptar kanë qenë temat ku nis ekspozita"Shqipëri-Gjermani-Një vështrim fotografik”. Në kuadër të Tetorit Gjerman, kjo ekspozitë do të hapet në qendrën TEN, ish-kinema “Dajti” ditën e nesërme.

Fotografi gjerman Heinrich Völkel, që nga viti 2005 ka vizituar rregullisht Shqipërinë. Në projektin fotografik "Tirana-Mon Amour", me fokus tek Portreti dhe Foto-reportazhi, ai përpiqet të dokumentojë përshtypjet e tij mbi Shqipërinë dhe njerëzit gjatë proceseve të shpejta transformuese në vend.

Fotografitë e tij janë shumë të thjeshta, me një kompozim formal, që arrijnë të krijojnë një situatë impozante, duke paraqitur në mënyrë realiste shoqërinë shqiptare post-komuniste 20 vjet pas rënies së regjimit komunist.

Katër fotografë dhe artistë shqiptarë kanë vizituar Gjermaninë në vitin 2010. Gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani ata kanë vizituar vende dhe takuar njerëz të ndryshëm, duke pasur si qëllim zbulimin të vendeve interesante të cilat ringjallin historinë, duke i paraqitur publikut shqiptar Gjermaninë 20 vjet pas ri-bashkimit.

Ekspozita organizohet nga “Tirana Art Lab-Qendër” për Artin Bashkëkohor në kuadër të Tetorit Gjerman, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Fondacionit të Kulturës Evropiane.

Artistët pjesëmarrës: Bevis Fusha, Arvenol Hasa, Ledia Kostandini, Alketa Ramaj, Heinrich Völke. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 28 tetor 2010.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE