English

Shtabi i Emergjencave: Reshjet në veri, 300 banesa të dëmtuara

Shkodër, 7 tetor, NOA – Rreth 100 banesa të dëmtuara pasi uji u ka hyrë brenda në dhoma, 200 banesa të tjera ku uji u ka hyrë në oborre dhe dy ura janë dëmtimet kryesore të shënuara gjatë reshjeve të ditëve të fundit në veri të vendit.

Ky ka qenë bilanci i publikuar nga Shtabi i Emergjencave Civile ditën e sotme mbi evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shumta në qarkun e Shkodrës.

Sipas drejtuesve vendorë, dëmet më të shumta janë shkaktuar në infrastrukturën rrugorë të Pukës, Malësisë së Madhe dhe zonës së Dukagjinit ku në disa raste, është ndërprerë edhe qarkullimi i automjeteve, pa llogaritur këtu edhe dëmet në produktet bujqësore.

Ndërkohë, problematike vazhdon të jetë situata në rrugën automobilistike që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, kjo për shkak të shkatërrimit një ditë më parë të Urës së Vrakës, 7 kilometër larg qytetit të Shkodrës.

n.e/NOA

KOMENTE