English

Socialist ashtu si opozita

Keni firmën time për ta çuar kërkesën tuaj për hapjen e kutive në Gjykatën Kushtetuese. Nuk jam këtu për replikë me z. Ruçi sepse nuk ka koalicion me PD-në apo me PS-në që na ndan ne të dy, por jam për të bërë një sqarim. Z. Ruçi dhe të dashur shokë socialistë, sepse edhe unë jam socialist si ju, që tani unë jam gati të firmos kërkesën tuaj për hapjen e kutive, por bëni formulimin ju. Madje kam qenë gati për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se nuk e kam pasur si LSI të gjithë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë. Nuk e kam bërë se ju do të thonit pastaj që formulimin e bëri Ilir Meta dhe nuk e bëri sipas logjikës që kishim ne

Nga Ilir Meta

Lufta kundër korrupsionit ka dy shtylla, transparencën dhe zbatimin ligjit, sepse fjalime, sharje dhe biografi për politikanët, shqiptarët kanë dëgjuar plot deri tani. Kjo nuk na ndihmon të shkojmë përpara.

Dua ta siguroj z. Braçe se të gjithë dokumentet që ka kërkuar ai, që do kërkojë çdo deputet nga çdo lloj forcë politike, do t’i kenë në përputhje të plotë me ligjin dhe ftoj opozitën që të luftojmë korrupsionin bashkë me mazhorancën, pjesë e së cilës unë jam, dhe me opinionin publik.

Të gjitha shqetësimet që ka ngritur opozita, edhe për fenomene të caktuara që kanë të bëjnë me liberalizimin e mëtejshëm të tregut, ku pengesat për momentin janë ndoshta më shumë objektive se sa ligjore, pasi legjislacioni ynë është e garanton këtë.

Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën edhe për të liberalizuar tregun e shpërndarjes së energjisë elektrike, por edhe për të liberalizuar tregun që ka të bëjë me rafineritë e naftës. Ne po shikojmë mundësitë për të ecur në këtë drejtim. Ligji do të zbatohet me transparencë dhe me përpikmëri të plotë. Megjithatë, unë besoj se gjëja më e mirë që duhet të bëjmë është të ndihmojmë zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Mazhoranca duke përmbushur detyrimet e saja dhe opozita duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Keqardhja ime më e thellë është për mos votimin e ligjit “Për Gjykatën Administrative”, jo vetëm si deputet, por edhe si ministër i Ekonomisë. Për arsyen që të gjithë e dimë se kjo gjykatë nuk i shërben qeverisë. Gjykata Administrative mbron biznesin, në radhë të parë, nga arbitrariteti i Qeverisë dhe administratës shtetërore. Ndaj ky mosvotim, absolutisht që është një investim shumë i dëmshëm dhe i gabuar nuk është se dëmton qeverinë, por interesat e qytetarëve shqiptarë dhe interesat e biznesit në vendin tonë, shqetësimet e të cilit i ngre vazhdimisht edhe vetë opozita. Unë nuk mund të hesht dot për absurditetin më të madh që dëgjojmë që këtu pengohet transparenca dhe kjo është arsyeja që nuk votohet ligji “Për Gjykatën Administrative”. Kjo është arsyeja që nuk votohen ligjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit dhe jo me funksionimin e kësaj qeverie.

Unë besoj, se nuk ka transparencë më të madhe se sa t’i lutesh opozitës që të çojë përpara procesin që ka një vit që e kërkon. Çdo gjë që ka pretenduar i është plotësuar.

Donte shumicën e komisionit, e ka marrë që në shtatorin e kaluar. Donte kryetarin, e ka marrë që një vit më parë. Çfarë do lloj hetimi, për çdo çështje, që atëherë. Donte rinumërimin, i është thënë se kjo është një çështje që ka të bëjë me pavarësinë e gjykatave. Opozita ka pretenduar që rinumërimi dhe hetimi i kutive është proces kushtetues, që atëherë i është thënë ta çojë në Gjykatën Kushtetuese dhe në rast se Gjykata Kushtetuese sjell rinumërimin, në rast se edhe Komisioni i Venecias, përmes Gjykatës Kushtetuese sjell të njëjtën gjë, atëherë rinumërimi të bëhet i plotë. Por ka një ndryshim thelbësor, jo të bëhet thjesht për të dënuar komisionerët, që mund të kenë bërë numërime të gabuara, apo të manipuluara. Jo të bëhet thjesht për moral, por të bëhet edhe për të çuar në vend çdo padrejtësi. Meqenëse opozita është kaq e bindur se rezultati është i deformuar dhe asaj i takon pushteti, atëherë kjo është e vetmja opozitë në botë që nuk do të marrë pushtetin. Opozita nuk ka pse ti lodhë anëtarët dhe simpatizantët e saj me mitingje tërë kohën, por në mënyrën më institucionale, më demokratike e merr pushtetin pikërisht në këtë sallë.

Ne që jemi në qeveri shkojmë në opozitë, opozita vjen në qeveri. Unë nuk e kuptoj se çfarë e pengon. Kam qenë vetë gjithë kësaj kohe i angazhuar për ta çuar para këtë proces sa më shumë në favor të opozitës. Në qoftë se u duhet firma ime për në Gjykatën Kushtetuese, unë ua jap firmën, edhe deputetët e LSI. Por kjo nuk u duhet, sepse u mjaftojnë 28 firma dhe ju i keni për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Unë kam qenë vazhdimisht i angazhuar që ky proces të ecë përpara për të mirën e vendit, për të mirën e opozitës, për të mirën e transparencës së zgjedhjeve, sepse forca politike që unë përfaqësoj është masakruar padrejtësisht në dy palë zgjedhje.

Megjithatë rregullat e lojës këto janë, demokracia kjo është. Do të punojmë që t’i çojmë përpara. Madje, edhe rikompozimi i komisionit hetimor parlamentar është pranuar nga kryeministri Berisha, pas kërkesës së përfaqësuesve të së majtës europiane, kjo për shkak prej mënyrës se si u zhvillua seanca, atë ditë kur u krijua komisioni hetimor, opozita u largua nga salla. Unë nuk e kuptoj se për çfarë transparence e keni fjalën ju të dashur socialistë. Çfarë transparence doni më shumë? Kush ju pengon ta çoni në Gjykatë Kushtetuese? Duhen vetëm 28 firma. Ja tani ne për 28 sekonda i mbledhim 28 firma. Ju e dini shumë mirë sa herë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendime të qeverisë dhe ligje të Parlamentit. Shumë mirë ka bërë, sepse në qoftë se konformohet me çdo vendim të Qeverisë atëherë nuk ka më atë rol qe duhet të këtë në shtetin e së drejtës.

Kush ju ka penguar për të vënë lëvizje dhe Komisionin e Venecias? Përkundrazi, ky ka qenë një kompromis që është pranuar për hir të tolerancës dhe të kapërcimit të kësaj situate. Si mund të kërkohet transparencë dhe të bllokohet qëllimisht reforma zgjedhore? Thirren aleatët në hotel Tirana për transparencë, ndërkohë që qëllimi është që të mos bëhet reforma zgjedhore. Sërish ne kemi një Kod, ndaj të cilit kemi shumë rezerva por, është shumë konsensual sepse ka patur 130 vota. Prandaj, unë do t’ju ftoja që t’i shikojmë së bashku këto çështje me më shumë arsye dhe të mos krijojmë zhurma të paqena për të fshehur probleme të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë me interesat e vendit, por kanë të bëjnë me interesa shumë më të ngushta. Shpresoj në një reflektim tuajin dhe në një kontribut tuajin pozitiv për proceset integruese europiane të vendit sepse këto i takojnë të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pas ndërhyrjes së kreut të grupit parlamentar të PS, z. Ruci, zv. Kryeministri .z. Meta dha këtë përgjigje:

Nuk jam këtu për replikë me z. Ruçi sepse nuk ka koalicion me PD-në apo me PS-në që na ndan ne të dy, por jam për të bërë një sqarim. Z. Ruçi dhe të dashur shokë socialistë, sepse edhe unë jam socialist si ju, që tani unë jam gati të firmos kërkesën tuaj për hapjen e kutive, por bëni formulimin ju. Madje kam qenë gati për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se nuk e kam pasur si LSI të gjithë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë. Nuk e kam bërë se ju do të thonit pastaj që formulimin e bëri Ilir Meta dhe nuk e bëri sipas logjikës që kishim ne.

Ka diçka z. Ruçi, sepse ju e dini që unë kam kaq përvoja sa ju dhe nuk impresionohem nga ndërhyrjet tuaja. Kam dhe eksperiencën e KPD-ve. Unë jam ai që kam qenë në 2005-ën dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, që kemi qenë kundër “Dushkut” para se ju të bënit atë, dhe pastaj e ndoqën edhe kolegët e PD shembullin tuaj. Kam qenë për transparencë. Kam qenë për hapjen e kutive në 2005 dhe kemi sjellë në komisionin hetimor parlamentar PS-PD fakte konkrete, që kishin të bënin me diferencën e jashtëzakonshme të rezultateve në 90 zona, midis gjithë shumatores së rezultateve të qendrave të votimit me çdo qendër të llogaritur më vete. Më thoni se kur i keni hapur ju kutitë këtu dhe kur e keni bërë rinumërimin. Pavarësisht se ju ndryshuar Kodin me z. Berisha, pra Kodi Rama-Berisha me iniciativën tuaj, pavarësisht se ju krijuat Gjykatën e Zgjedhjeve me konsensus të plotë dhe për çdo anëtar gjykate ju keni dhënë pëlqimin apo mospëlqimin tuaj, dhe shumë ndryshime të tjera, unë përsëri jam këtu për të mbështetur çdo iniciativën tuaj. Por unë nuk mund t’i imponohem PD në qëndrimet e saja. E doni firmën time, e keni që sot, dhe të deputetëve të LSI. Unë nuk thashë që kërkesa juaj është antikushtetuese, sepse nuk dua të marr përsipër këtë ekspertizë. Por, qëndrimi i PD është i tillë. Ju thoni që është kushtetues dhe duke patur besim te ju, si socialistë të vjetër që jemi të dy, jam gati ta firmos kërkesën tuaj për në Gjykatën Kushtetuese. Unë kaq mund të bëjë më shumë. Dhe, në qoftë se është kushtetuese, askush nuk ka pse të ketë frikë dhe të hezitojë ta çojë në Gjykatë Kushtetuese. Përderisa ne kemi një Komision të Venecias që ka dhënë ekspretizën për Kushtetutën e Shqipërisë nuk kemi as përse të mos e marrim në konsideratë, që nuk ka qenë në fakt kërkesë e askujt tjetër, por i faktorit ndërkombëtar që ka patur interes për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Pra, askush nuk ju pengon. Unë jam më koherent se asnjëherë tjetër për këtë çështje dhe forca politike që përfaqësoj. Ju duhen firmat tona, kur të dëshironi i keni për të çuar kërkesën tuaj në Gjykatën Kushtetuese. Por të injorosh gjithë këto mesazhe që jepen për të respektuar transparencën dhe për të respektuar Kushtetutën, dhe meqenëse këtu ka një mosmarrëveshje mes jush, qoftë edhe mua që po them që kjo është kushtetuese, dhe një pjese tjetër, atëherë e vetmja rrugë për ta interpretuar dhe për ta vendosur është Gjykata Kushtetuese.

*Fjala e Zv. Kryeministrit sot në Parlament

KOMENTE