Budapest, 7 tetor, DW– Pas çarjes së një dige në një fabrikë alumini në Hungari, në zonën përreth u derdh një sasi e madhe baltë e kuqe helmuese. Tani ekziston frika e ndotjes së Danubit, lumit të dytë më të gjatë në Evropë. Tri orë iu desh të priste një pensionisteje në tarracën e shtëpisë së saj, që të mbërrinte ndihma. Zjarrfikësi nuk kalonte dot në masat e baltës që kanë mbuluar lokalitetin Devetcser me rreth 5.000 banorë.
"Balta e kuqe ma ka djegur trupin deri në gjoks. Kur mbërritën zjarrfikësit ende nuk kisha ndier gjë. Por një ditë më vonë dhimbjet ishin të tmerrshme", tregon ajo.
Lëndë e rrezikshme kimike
Katër persona humbën jetën në masat e baltës, më shumë se 100 të lënduar trajtohen ende në spitalet përreth. Ministri i Brendshëm i Hungarisë Sandor Pinter paralajmëron:
"Balta është shumë e rrezikshme, mund të shkaktojë djegie nëse bie në kontakt direkt me lëkurën. Ajo mund të verbojë nëse bie në kontakt me sytë. Bëhet fjalë për një lëndë shumë të rrezikshme".
Ndalohet konsumi i produkteve ushqimore nga rajoni i prekur
Problem për mbrojtësit në rast katastrofash është se ende nuk dihet se çfarë substancash përmban vërtet balta. Balta e kuqe është një mbetje që rezulton gjatë përftimit të aluminit, me veti acide dhe plot me metale të rënda. Nuk përjashtohet që për të gjitha sipërfaqet e prekura të ndalohet përdorimi bujqësor për shumë vite me radhë, pasi është e pamundur të largohen masat e baltës së kuqe nga një zonë rreth 40 kilometra katrorë. Por në një pikë mjeku Pal Kalasi shprehet me nota qetësuese:
"Kur është fjala për radioaktivitet mund të themi se nuk ka rritje të rrezatimit. Të paktën në këtë aspekt nuk ka probleme".
Prokuroria heton
Fabrika e prodhimit të aluminit u mbyll përkohësisht me urdhër të qeverisë hungareze. Balta e kuqe gjendej në një rezervuar të rrethuar nga mure balte. Njëri prej tyre u ça. Prokuroria hungareze po heton për pakujdesi. Ka mundësi që në rezervuar të gjendej më shumë baltë e kuqe nga sa është e lejuar. Drejtori i fabrikës së aluminit Lajos Tonaji i hedh poshtë këto akuza: "Ne nuk jemi përgjegjës për këtë fatkeqësi. I kemi kryer rregullisht të gjitha kontrollet. Vetëm dhjetë ditë më parë rezervuari i baltës së kuqe u kontrollua dhe u aprovua nga autoritetet. Dhe nuk kishte asnjë kritikë. Një orë para çarjes së digës një nga ekspertët tanë e kontrolloi rezervuarin dhe nuk konstatoi asnjë parregullsi".
Shqetësuese e ardhmja ekonomike e zonave të prekura
Për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, një gjë është e qartë:
"Është e rëndësishme të dihet që rezervuari është kontrolluar vetëm pak para avarisë. Pra kontrolli i parashikuar me ligj është kryer. Kjo nuk ndryshon asgjë në faktin që ndodhi një tragjedi. Dhe ne duhet të marrim masa mbrojtëse : njerëzit nuk duhet të hanë ushqime nga rajoni i prekur edhe pse në dukje mund të jenë të parrezikshme."
Kryeministrin e shqetëson edhe e ardhmja ekonomike e rajonit:
"Më e keqja që mund të ndodhte është që fabrika e aluminit të mos prodhojë më. Atëherë ajo nuk do të ketë as para për të shlyer zhdëmtimin. Tani e kemi pezulluar prodhimin për një javë dhe në fundjavë do të vendosim nëse prodhimi do të rifillojë".
Orban i bëri thirrje sipërmarrjes të fillojë sa më parë me riparimin e rezervuarit të dëmtuar. Aktualisht në rajonet e prekura vazhdojnë punimet e pastrimit. Fasadat e shtëpive nuk janë më të bardha por të kuqe. Në rrugë ndjehet një erë therëse metali, e cila mesa duket do t'i shoqërojë njerëzit atje për një kohë të gjatë.
Hungari mbetet në gjendje emergjence. Tani ka lindur edhe frika se nga balta helmuese mund të ndotet edhe lumi Danub, i dyti për nga gjatësia në Evropë.
"Kjo do të ishte një katastrofë nga pikëpamja e menaxhimit të ujërave", tha zëvendësdrejtori i kompanisë së administrimit të ujërave për pjesën perëndimore të Hungarisë, Sandor Toth.
Deutsche Welle