English

Topalli: Vendimi për vizat, dinjiteti i shqiptarëve mori një proporcion të ri

Strasburg, 7 tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme gjatë votimit të heqjes së vizave në Parlaentin Evropian u shpreh se kjo është dita më e bukur e shqiptarëve dhe se vota në PE, ratifikim i të gjitha progreseve që ka arritur Shqipëria në këto vite.

“Kjo është dita më e bukur e të gjithë shqiptarëve! Vota në Parlamentin Evropian është ratifikimi i të gjitha progreseve që ka arritur Shqipëria në këto vite. Unë ndihem me fat që kam qenë këtu dhe e ndjej për detyrë të shpreh një falënderim të veçantë për kryeministrin Berisha, i cili ka qenë në krye të gjithë këtij procesi, në të gjitha fazat, natyrisht edhe ato më të vështira. Ndjej krenarinë se është një premtim i mbajtur dhe detyra e politikanit është për të mbajtur premtimet. Ky ratifikim ishte vlerësim i plotësimit të të gjitha kërkesave, që ishin detyrë e Kuvendit dhe e qeverisë. Në këtë aspekt ndihem shumë krenare!

Vlerësoj mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare dhe eurodeputetëve nga 27 vendet e BE, të cilët u thonë sot qytetarëve shqiptarë që ju jeni si të gjithë qytetarët e tjerë dhe do lëvizni pa viza, pa qëndruar pas ambasadave dhe pa u ndjerë të frustruar.

Në fakt për mua, Tanja Fajon është një ndër deputetet më të jashtëzakonshme, me një impenjim, përkushtim dhe një punë të fortë. Me një lobim që ajo ka bërë për t’i shpjeguar çdo deputeti edhe këtu në PE se shqiptarët kanë plotësuar të gjitha kushtet.

Vendimi pozitiv i Parlamentit Evropian është edhe kurorëzim i përpjekjeve dhe angazhimit të diplomacisë parlamentare në kuadër procesit të liberalizimit të vizave.

Zonja Topalli, si do ta konsideroni votimin e sotëm në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave të shqiptarëve?

Është një moment që i sjell një gëzim të veçantë çdo familje shqiptare, çdo burri, gruaje, të rinjve e të rejave, çdo prindi. Është momenti në të cilin dimensioni i lirisë merr proporcione të plota sepse lëvizja e lirë është një dimension tjetër i madh i lirisë. Është një moment krenarie, një moment ku dinjiteti merr një proporcion të ri, është një moment në të cilin të gjithë ne, bashkë ndihemi krenar për sa kemi mundur që të realizojmë me reforma gjatë këtij viti pavarësisht nga vështirësitë që nga dikush janë vënë gjatë rrugës tonë, e cila ka rezultuar ashtu siç e kishim premtuar me një rezultat të jashtëzakonshëm. Ratifikim, do të thotë besim, ratifikim me 538 vota në mbështetje të opinionit të komisioneres do të thotë se Shqipëria ka realizuar çdo detyrim të saj. Ishte një votë e merituar për shqiptarët.

Ka patur më shumë pengesa nga Shqipëria apo nga Evropa për liberalizimin e vizave?

Përsa i takon Shqipërisë, komisionerja Malmstrom edhe dje për të disatën herë por edhe eurodeputetja Tania Fajon ka përsëritur fjalën good progress, pra, një progres shumë i mirë. Madje, ka vlerësuar edhe më shumë se good progress duke theksuar se Shqipëria ka bërë më shumë nga sa i kërkohej. Pra ka realizuar dhe ka plotësuar çdo kërkesë të Komisionit Evropian, çdo kërkesë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres edhe përtej këtyre kërkesave. Ndaj dhe them se i kemi të gjitha arsyet që si shqiptarët ne të ndihemi krenar. Është një proces, në fakt i udhëhequr nga kryeministri Berisha dhe në radhë të parë është merita e tij.

Ky ka qenë viti i një angazhimi dhe i një axhende të përcaktuar të qeverisë dhe të Kuvendit në funksion të heqjes së vizave për qytetarët tanë, që ata të ndihen me dinjitet dhe të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë. Ashtu siç është ky një moment historik që ka vlerësuar dhe ka ratifikuar të gjitha reformat dhe progreset që Shqipëria, Qeveria, Kuvendi, institucionet kanë realizuar dhe kanë bërë të mundur që sot ne të jemi dëshmitarë të një prej momenteve më të veçanta për çdo qytetar shqiptar.

Brenda dy viteve, Shqipëria arriti dy momente historike, të paimagjinueshme. E para ishte, anëtarësimi në NATO dhe sot ratifikimi nga 27 vende në Parlamentin Evropian i progresit të Shqipërisë është momenti i dytë historik për të cilin çdo shqiptar duhet të ndihet krenar. Por pa dyshim është edhe një premtim i mbajtur i kësaj mazhorance.

Zonja Topalli, ju thatë se dikush tentoi ta pengonte këtë proces, konkretisht janë njerëz në Shqipëri apo në Evropë?

Jo, absolutisht në Shqipëri. Shpreh bindjen e thellë, keqardhjen më të madhe por edhe kënaqësinë më të madhe që kanë dështuar në këtë përpjekje sepse sot është një ditë e gëzueshme për çdo shqiptar. Siç e keni vënë re edhe dje një prej miqve më të ngushtë të Edi Ramës ka bërë që ky moment historik të mos bëhej i mundur. Ndaj dhe e them se sot ata e meritojnë këtë votim dhe kanë arritur një dimension të lirisë së tyre. Është një mesazh që çdo politikan duhet ta ketë në mendje dhe në shpirt, interesat e vendit janë mbi interesat e partisë. Nëse dikush në politikën shqiptare, çdo ditë ka punuar për interesin personal kundra interesave të vendit ,natyrisht do të jetë historia që do ta gjykojë.

Siç e pamë edhe gjatë votimit ishin vetëm 47 vota kundër, a mund ta thoni cilat ishin shtetet që votuan kundër?

Nuk janë shtete, por individë të ekstremeve të ndryshme, që skano të bëjnë me frymën optimiste dhe mbështetjen e eurodeputetëve të të gjitha grupeve parlamentare. Dhe unë, i jam mirënjohëse çdo njërit prej grupeve parlamentare, që kanë mbështetur dhe kanë njohur dhe kanë ratifikuar progresin e të gjitha reformave të këtij viti të vështirë, dhe dua ta përsëris të vështirë për shkak të përpjekjeve për të mos arritur këtë ditë, për të mos qenë dëshmitar të këtij dimensioni lirie që shqiptarët e ëndërronin dhe e arritën me meritën e tyre, pa dhuruar asgjë, është thjesht meritë e tyre plotësimi i të gjitha kërkesave, siç u tha në debat dhe siç u tha me votën e një mazhorance të cilësuar. Ndaj dhe unë i shpreh urimet çdo qytetari shqiptar.

NOA

KOMENTE