Presidenti Topi pret delegacionin e Bordit të Fondit shqiptaro-amerikan të Sipërmarrjes, të kryesuar nga zoti Majkëll Granof
Tiranë, 7 tetor 2010 NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë dhe zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor me delegacionin e Bordit të Fondit shqiptaro-amerikan të Sipërmarrjes (AAEF), të kryesuar nga drejtuesi i tij, zoti Majkëll Granof.
Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një nga aleatët dhe partnerët strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë, si dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e pandërprerë, duke çmuar me këtë rast kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm me Fondin shqiptaro-amerikan të Sipërmarrjes edhe në drejtim të përgatitjes së drejtuesve shqiptarë në fushën e sipërmarrjes.
Kryetari i shtetit bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike dhe ekonomike në vend dhe vuri në dukje disa prej potencialeve ekonomike që ofron Shqipëria, duke nënvizuar klimën e favorshme për zhvillimin e biznesit dhe duke shprehur bindjen se institucionet shqiptare do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të përmbushur aspiratat integruese të shtetasve të vet.
Në këtë kontekst, Topi tha se “miratimi nga ana e Parlamentit Evropian i Raportit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë është një ngjarje e madhe dhe merita u takon qytetarëve, politikës dhe institucioneve shqiptare”.
Ndërsa Granof e quajti “një ditë historike që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e kombit”, duke vënë në dukje edhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në drejtim të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike.
Kreu i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes (AAEF), Majkëll Granof dhe delegacioni që e shoqëron, informuan rreth punës dhe planeve të tyre në Shtetet e Bashkuara, si dhe rreth vizitave të ardhshme të Bordit me synim dhënien e ndihmesës në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare nëpërmjet bashkëpunimit me sipërmarrësit shqiptarë, financimit të projekteve të rëndësishme, dhënies së përvojës amerikane të biznesit, etj.
Gjithsesi, zyra për shtyp e Presidencës nuk dha asnjë detaj se çfarë projektesh janë piketuar për investim në Shqipëri.
e.r/NOA