TE GJITHA FOTOT, TE GALERIA
Gjirokastër, 7 Tetor 2010 NOA Update Lajmi dhe Fotot – Ajo që ndodhi pasditen e sotme në Valare të Gjirokastrës, është një ndër ngjarjet më të rënda që përjetojmë kohët e fundit pasi njëherësh pesë jetë u shuan si pasojë e një aksidenti rrugor, pamjet e të cilave shihni dhe këtu e që janë tronditëse.
Gjithçka ndodhi sot rreth orës 17.40, në aksin rrugor rural Gjirokastër - Komuna Lunxhëri, në afërsi të fshatit Valare.
“Në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë pikërisht në 17.40 ja ardhur një telefonatë që raportonte nën panik se ka një aksident të rëndë rrugor me pasoja në njerëz”, - i tha agjencisë NOA, zëdhënësi i policisë Gjirokastër, Gentian Mullai.
Ai tregon se menjëherë në vendngjarje ka shkuar shërbimet e Njësisë Rajonale për Qarkullimin Rrugor Gjirokastër, patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër si dhe është lajmëruar edhe reparti zjarrfikës.
Ajo që u konstatua në aksin rrugor rural Gjirokastër-Komuna Lunxhëri, në afërsi të fshatit Valare, ishte vërtet e frikshme.
Automjeti tip Mitsubishi Pajero, me targa GJ 17 10 B, që drejtohej nga Thoma Qëndro i datëlindjes 1981, nga Zagoria Gjirokastër, me drejtim lëvizjeje nga Gjirokastra për në Zagorie, ishte përplasur me automjetin “Benz” me targa GJ 94 73 A, i cili drejtohej nga shtetasi Mysteak Zhupa 58 vjeç nga Gjirokastra, me drejtim lëvizje Komuna Lunxhëri për në Gjirokastër.
Si pasojë e përplasjes, automjeti tip Mitsubishi Pajero, kishte dalë nga rruga dhe ishte batuar. E në këtë pikë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i automjetit Thoma Qëndro.
Në automjetin tip Misubish udhëtonin edhe 4 persona të tjerë të cilët kanë gjetur vdekjen si pasojë e këtij aksidenti dhe konkretisht:
Froso Qëndro, rreth 53 vjeç, nëna e Thoma Qëndro, nga Zagoria.
Lida Qëndro, rreth 40 vjeç,(nusja e kushëririt të parë të shtetasit Thoma Qëndro, nga Zagoria).
Zoga Sotiri, rreth 83 vjeç, lindur dhe banuese në Zagorie(tezja e babit të Thoma Qëndro)
Ksenofon Meksi, rreth 58 vjeç, lindur dhe banues në Zagorie Gjirokastër (bashkëfshatar i tyre).
Drejtuesi i automjetit tip Benz Mysteak Zhupa nuk ka pësuar lëndime dhe është shoqëruar në ambientet e Policisë Rrugore Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Shkaku i aksidentit, ndonëse hetimet vazhdojnë, është qartësuar.
Një burim nga grupi hetimor tha se kanë konstatuar se automjeti tip Mitsubishi që drejtohej nga Thoma Qëndro, si pasojë e shpejtësisë së madhe ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga është futur përsëri në rrugë ku dhe është përplasur me automjetin tip Benz dhe më pas është batuar jashtë rruge.
Policia gjithsesi tha se po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë, kurse materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
v.d.e.r/NOA