English

Urgjent/ Parlamenti Evropian miratoi heqjen e vizave me Shqipërinë

Strasburg, 7 tetor, NOA Update – Parlamenti Evropian sapo kaloi në votim, duke miratuar me 538 vota pro dhe 47 kundër raportin e eurodeputetes Tanja Fajon, mbi liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Një moment i shumëpritur ky për të gjithë qytetarët shqiptarë që duan të shijojnë lirinë e lëvizjes me vendet e BE, pa iu nënshtruar më regjimit Shengen, ashtu siç kanë përfituar prej mëse një viti, qytetarët e tre vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni.

Ndërsa dje në mbrëmje, eurodeputetët kanë përballur të gjitha opsionet dhe vlerësimet e tyre mbi procesin e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, tani ata kanë realizuar votimin parafinal për miratimin e raportit të eurodeputetes Fajon që e vlerëson këtë si një veprim të cilit i ka ardhur koha që të kryhet.

Tani është institucioni i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, i cili duhet ta miratojë këtë raport dhe mesazhi që Parlamenti Evropian i dha atij ishte shumë i fortë, ky edhe politik, për ta mbështetur procesin e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

n.e/NOA

KOMENTE