Tiranë, 7 tetor, NOA – Miratimin e rezolutës për heqjen e vizave për Shqipërinë nga Parlamenti Evropian e ka përshëndetur edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili shprehu mirënjohjen më të thellë për Parlamentin Evropian, për të gjithë eurodeputetët dhe grupet parlamentare e në veçanti për socialistët dhe socialdemokratët evropianë, që votuan në favor të liberalizmit të vizave për vendin tonë.
Lideri i LSI-së, dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta e ka cilësuar vendimin e sotëm si një arritje të madhe, historike, dhe një hap madhor drejt integrimit evropian, pasi lamë pas të qënurit vendi më i izoluar i Evropës.
“Me këtë rast përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë për këtë moment kaq të rëndësishëm ku tashmë kemi mbërritur, ku në pak javë ky proces do të mbyllet përfundimisht dhe brenda këtij viti sikurse kemi theksuar dhe premtuar vazhdimisht qytetarëve të Shqipërisë, që kanë pasaportë biometrike, do të kenë mundësinë të udhëtojnë si të gjithë qytetarët evropianë në hapësirën Shengen”, tha zoti Meta.
“Dua të shpreh falënderimin tim për të gjithë ata që janë përfshirë në një proces madhor, sikurse ishte përmbushja e detyrimeve dhe e standardeve që përcaktonte udhërrëfyesi i KE për liberalizmin e vizave”, theksoi kreu i LSI-së.
Sipas tij ky vendim erdhi pas një përpjekje madhore të shtetit shqiptar, për miratimin e qindra ligjeve, vendimeve të qeverisë, akteve të tjera nënligjore dhe investimeve me dhjetëra milionë euro, që janë bërë për të arritur standartet e BE-së për të garantuar sigurinë e kufijve tanë dhe të dokumenteve të qytetarëve tanë, duke shënuar një progres të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Ky mesazh i qartë i Parlamentit Evropian, sikurse ishte premtuar edhe më parë, tregon se procesi ka ecur me përpikëri të plotë dhe se qeveria por edhe institucionet e tjera kanë përmbushur axhendën e bërë publike, si Qeveri e Integrimit”, tha kryetari i LSI-së.
Ai shprehu krenarinë për vendimin e marrë për krijimin e koalicionit për integrimin e vendit ku natyrisht një angazhim madhor në një plan afatshkurtër ka qenë pikërisht liberalizmi i vizave dhe plotësimi i detyrimeve të Qeverisë dhe të vendit në këtë drejtim.
Duke shprehur se sfida të reja janë për tu përmbushur, kreu i LSI-së, Ilir Meta i bëri thirrje lidershipit të opozitës që të reflektojë për të dhënë kontributet në këtë proces dhe të mos mohojë punën, që është bërë, sepse ajo nuk ka qenë thjeshtë dhe vetëm premtimi i mbajtur i Qeverisë së Integrimit, por ka qenë puna e qindra mijëra specialistëve të administratës publike të angazhuar, për përmbushjen e aspiratës së të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake dhe politike.
mit/NOA