English

Vizat, Topi: Vendimi i PE historik. Organet e Drejtësisë të vërtetojnë akuzat e forcave politike

Tiranë, 7 tetor, NOA – Pas miratimit nga Parlamenti Evropian i raportit të eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen, Presidenti i Republikës, Bamir Topi e ka përshëndetur dhe falenderuar PE-në për vendimin historik, i cili i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

Presidenti në një deklaratë të tij për mediat, duke iu referuar situatës politike në vend, shprehu shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit, të cilat sipas Presidentit lidhen më së shumti jo vetëm me aktorët politikë, por me shtetin, demokracinë dhe interesat e qytetarëve.

“Siç bashkarisht kemi konstatuar, prej muajsh retorika politike në Shqipëri po dominohet nga akuza e kundërakuza midis politikanëve, zyrtarëve dhe medias. Aktorët politikë të përfshirë në këtë debat po furnizojnë çdo ditë publikun me dokumente dhe të dhëna të pretenduara për inkriminimin e palës tjetër”, tha Kreu i shtetit.

Zoti Topi theksoi se tashmë të gjitha akuzat duhet të vërtetohen nga organet e drejtësisë.

“Vërtetësia e akuzave nuk është atribut i Presidentit dhe as i partive politike; ajo është atribut vetëm i drejtësisë dhe organeve që parashikon Kushtetuta. Fushata e akuzave dhe kundërakuzave nuk është më çështje e partive, është çështje e Shtetit, e demokracisë dhe e sistemit tonë politik. Sepse ky zhvillim i ri po lë në hije prioritetet politike, që duhej të kishte qeverisja dhe politika ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe nga ana tjetër, nuk mund të mos lërë pasoja në imazhin e demokracisë, Shtetit dhe të vetë Shqipërisë në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”, evidentoi kreu i shtetit.

Në këtë suazë, presidenti Topi, kërkoi që të gjenden sa më parë rrugëzgjidhjet transparente dhe të besueshme për daljen nga kjo situatë që nuk i bën aspak mirë zhvillimeve të rëndësishme që vendi po përjeton, sikundër edhe pritshmëria që tashmë edhe këshilli i ministrave të BE-së, të miratojë në nëntor heqjen plotësisht të vizave për Shqipërinë.

Presidenti konfirmoi mbështetjen e tij për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese e ligjor, që mbrojnë ligjin dhe japin drejtësi.

Kreu i shtetit, i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë pa vonesë, me transparencë e profesionalizëm për të trajtuar me seriozitet çdo akuzë reciproke të aktorëve politikë, çdo denoncim publik, zyrtar e mediatik; dhe brenda një limiti kohor të caktuar të informojnë publikun shqiptar mbi të vërtetat e tyre.

“Çdo politikan, zyrtar, nëpunës e sipërmarrës, që ka abuzuar me ligjin, pavarësisht staturës politike e publike, duhet të përballet me ligjin. Ky është parimi i shtetit të së drejtës, ky është lajmotivi për një demokraci të shëndoshë, të besueshme dhe funksionale”, tha Presidenti i Republikës.

Duke iu referuar zhvillimeve të rëndësishme zoti Topi bëri me dije se “Shqipëria ndodhet në një fazë mjaft të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, andaj sipas Tij, “në këtë interes vital kombëtar nuk mund të bëhet pengesë asnjë individ ose grup individësh, qofshin këta politikanë, zyrtarë apo përfaqësues të drejtësisë”.

Ai u kërkoi njëkohësisht partive politike të përfaqësuara në parlament, që me konsensus të gjerë ose me nisma individuale, të bëjnë të mundur heqjen e pengesës së imunitetit parlamentar për të gjithë deputetët.

“Ftoj parlamentin që me konsensus dhe përgjegjshmëri përpara vendit, të bashkëpunojë për ndërhyrje të menjëhershme, qofshin këto dhe kushtetuese, për heqjen ose kufizimin e imunitetit edhe për një kategori të gjerë zyrtarësh, siç janë organet e drejtësisë dhe drejtuesit e institucioneve të ndryshme kushtetuese”, nënvizoi Presidenti.

“U kërkoj publikisht të gjithë zyrtarëve të çdo niveli, të bashkëpunojnë ngushtë dhe me korrektësi me organet e drejtësisë, për të mos lejuar përsëritjen e praktikave të gabuara të së kaluarës, kur drejtësia e mohuar ose e penguar, i mori shumë vite shtetit ligjor dhe proceseve demokratizuese e integruese të Shqipërisë”, pohoi zoti Topi.

Ai i bëri apel publik klasës politike, të mbështesë zhvillimin e një pushteti gjyqësor të pavarur, të paanshëm, etik, të besueshëm, efektiv dhe të drejtë në Shqipëri; të shmangin dhënien e opinioneve, para ose gjatë gjykimit të një çështjeje, rreth karakterit të palëve në gjykim, fajësisë apo pafajësisë së tyre, apo rreth provave dhe argumenteve të paraqitura në gjykatë.

“Çdokush mund të debatojë apo kritikojë publikisht korrektësinë e një vendimi gjyqësor, vetëm pasi ai ka përfunduar, por duhet shmangur sulmi publik i integritetit të një gjykatësi apo të gjyqësorit”, shtoi kreu i shtetit.

“Në këtë stad historik për integrimin euroatlantik, Shqipëria ka nevojë për vepra konkrete politike, nisma konkrete ligjore antikorrupsioni dhe veprime konkrete të institucioneve përgjegjëse, për të dëshmuar se pushtetet kushtetuese që përfaqësojnë direkt apo indirekt qytetarët kanë moralin dhe tagrin e duhur profesional e qytetar për të ushtruar si duhet përgjegjësitë e tyre ligjore e kushtetuese”, përfundoi komunikimin e tij me mediat kreu i shtetit, Bamir Topi.

mit/NOA
KOMENTE