English

12 trajnerët e 22 fitoreve të Shqipërisë

Tiranë, 8 tetor, NOA - Me fitoren kundër Luksemburgut, Kuzheja u bë trajneri i 12-të në stolin e Shqipërisë që fiton të paktën një ndeshje.

Trajnerët e tjerë janë Hans Peter Brigel, 6 ndeshje, Zyber Konçi, 2 ndeshje, Neptun Bajko, 2 ndeshje, Astrit Hafizi, 2 ndeshje, Oto Bariç, 2 ndeshje, Bejkush Birçe, 2 ndeshje, Loro Boriçi, 1 ndeshje, Shyqyri Rreli, 1 ndeshje, Ilia Shuke 1 ndeshje, Medin Zhega, 1 ndeshje dhe Ari Han, 1 ndeshje.

Në fakt, kundër ekipeve të vogla apo të përafërta me ne,Shqipëria ka fituar gjithmonë, qofshin këto zyrtare apo miqësore. Brigeli, përveç fitoreve të mëdha kundër Rusisë (3-1) dhe Greqisë (2-1) i fitoi takimet kundër Gjeorgjisë (3-1), Kazakistanit (1-0, 2-1), Bariçi kundër Luksemburgut (2-0, 3-0) dhe Hani kundër Maltës (3-0, 0-0).

Duke u kthyer shumë vite më pas, pikërisht në vitin 1963, kur fillon dhe debutimi ndërkombëtar i Shqipërisë në Europë (duke përjashtuar kampionatet ballkanike dhe ndeshjet miqësore), e para fitore historike i përket Zyber Konçit në triumfin 1-0 kundër Danimarkës në turin e dytë kualifikues të Euro 1964-s, me një gol brenda 180 sekondave të para të realizuar nga Panajot Pano.

Prej atij momenti, u deshën 18 vjet që Shqipëria të regjistronte fitoren e dytë, 3-0 kundër Turqisë, më 14 nëntor 1971, dhe me trajnerin Loro Boriçi në bankinë. Fitorja e radhës është e trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, të përsëritur ndaj këtij kundërshtari edhe nga Zyber Konçi, por me rezultatin 2-0, më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Triumfi pasues i përket Shqyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Bejkush Birçe ditët e tij me fat i pati më 26 maj 1991 kur mundi 1-0 Islandën dhe më 3 qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0, për t’ia lënë radhën Neptun Bajkos të regjistronte dy fitoret e tij, kundër të njëjtit kundërshtar: Moldavisë, 3-0 në Tiranë dhe 3-2 në Kishinau, kjo e fundit e para fitore në transfertë. Astrit Hafizi mundi Irlandën e Veriut (2-1, një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanjëse, në Zyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997) dhe Gjeorgjinë (1-0), ndërkohë që Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për Botërorin e vitit 2002. Më pas nis edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në pankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me pesë fitore në pankinën e Shqipërisë. Nis me Rusinë (3-1), Gjeorgjinë (3-1), Greqinë (2-1), Gjeorgjinë (3-2) dhe Kazakistanin (2-1). Ish-trajneri gjerman i Kombëtares shqiptare, Hans-Peter Brigel, është dhe tekniku që ka fituar më shumë me përfaqësuesen: 6 fitore. Fitorja e parë e tij është shumë e bujshme: 3-1 kundër Rusisë në Shkodër për eliminatoret e Euro 2004-s. Ish-nënkampioni i botës vazhdoi me fitoren 3-1 ndaj Gjeorgjisë, përpara se të triumfonte ndaj Greqisë 2-1, kampiones së porsa shpallur të Europës në “Portugali 2004”. Dy fitoret e tjera janë më modeste: 3-2 kundër Gjeorgjisë dhe 1-0 e 2-1 kundër Kazakistanit. Kroati Oto Bariç i shijoi fitoret e tij kundër Luksemburgut: 2-0në “Qemal Stafa” dhe 3-0 në Luksemburg, fitorja e dytë në transfertë e Shqipërisë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi 3-0 kundër Maltës modeste, pasi më parë kishte mundur në një miqësore Lihteshtejnin (2-0).Nga njëzet fitoret e Shqipërisë, vetëm dy janë realizuar në transfertë. Neptun Bajko fitoi 3-2 kundër Moldavisë në Kishinau, në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 1996 dhe Oto Bariç fitoi 3-0 kundër Luksemburgut në “Xhosi Bartel” për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 2008. Fitorja kundër Luksemburgut vendosi edhe një ekuilibër absolut, gati të pabesueshëm: Shqipëria ka regjistruar 11 fitore (në 75 ndeshje) në eliminatoret e kampionateve europiane, dhe po 11 fitore në eliminatoret e kampionateve botërore (84 ndeshje). Në të vërtetë, pas logjikës së barazimit me Rumaninë dhedetyrës së fitores ndaj Luksemburgut, Kombëtaren e pret një ndeshje e fortë me Bosnjën në Tiranë. Pikërisht, pasi Shqipëria pas dy ndeshjeve të para ka marrë përkohësisht kryesimin e grupit të saj, duke lënë pas vetes Bjellorusinë (me golaverazh), Francën (+1 pikë), Bosnjën (+1 pikë), Rumaninë (+2 pikë) dhe Luksemburgun (+6 pikë), kur janë ende dhe gjashtë ndeshje të tjera në lojë deri në përcaktimin përfundimtar të dy vendeve të para. - 22 fitoret në ndeshjet zyrtare në eliminatoret e kampionateve europiane dhe botërore 1. 30.08.1963 Shqipëri-Danimarkë 1-0 Trajner Zyber Konçi(El.K.E 1964) 2. 14.09.1971 Shqipëri-Turqi 3-0 Trajner Loro Boriçi (El.K.E 1972) 3. 10.10.1973 Shqipëri-Finlandë 1-0 Trajner Ilia Shuke (El.K.B 1974) 4. 03.09.1980 Shqipëri-Finlandë 2-0 Trajner Zyber Konçi (El.K.B 1982) 5. 22.12.1984 Shqipëri-Belgjikë 2-0 Trajner Shyqyri Rreli (El.K.B 1986) 6. 26.05.1991 Shqipëri-Islandë 1-0 Trajner Bejkush Birçe (El.K.B 1994) 7. 03.06.1992 Shqipëri-Lituani 1-0 Trajner Bejkush Birçe (El.K.B 1994) 8. 29.03.1995 Shqipëri-Moldavi 3-0 Trajner Neptun Bajko (El.K.E 1996) 9. 07.06.1995 Moldavi- Shqipëri 2-3 Trajner Neptun Bajko (El.K.E 1996) 10. 10.07.1997 Shqipëri-Irl.Veriut 1-0 Trajner Astrit Hafizi (El.K.B 1998) 11. 09.10.1999 Shqipëri-Gjeorgji 2-1 Trajner Astrit Hafizi (El.K.E 2000) 12. 11.10.2000 Shqipëri-Greqi 2-0 Trajner Medin Zhega, (El.K.B 2002) 13. 29.03.2003 Shqipëri-Rusi 3-1 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.E 2004) 14. 10.09.2003 Shqipëri-Gjeorgji 3-1 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.E 2004) 15. 04.09.2004 Shqipëri-Greqi 2-1 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.B 2006) 16. 04.06.2005 Shqipëri-Gjeorgji 3-2 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.B 2006) 17. 13.10.200 Kazakistan- Shqipëri 0-1 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.B 2006) 18. 03.09.2005 Shqipëri-Kazakistan 2-1 Trajner Hans-Peter Brigel, (El.K.B 2006) 19. 02.06.2007 Shqipëri-Luksemburg 2-0 Trajner Oto Bariç, (El.K.E 2008) 20. 06.06.2008 Luksemburg-Shqipëri 0-3 Trajner Oto Bariç, (El.K.E 2008) 21. 10.09.2008 Shqipëri-Maltë 3-0 Trajner Ari Han, (El.K.E 2006) 22. 07.09.2010 Shqipëri-Luksemburg 1-0 Trajner Josip Kuzhe, (El.K.E 2006)

NOA-INA

KOMENTE