Tiranë, 8 tetor, NOA – Vendimi i dhënë dje nga Parlamentit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë, është një vendim i bazuar mbi performancën e dy vendeve, në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha gjatë një takimi me homologun e Bosnjë-Hercegovinës, Sadik Ahmetoviç, një ditë pas vendimit historik të Parlamentit Europian, për miratimin e rezolutës për liberalizimin e vizave për këto dy vende.
Pas takimit, ministrat e Brendshëm të dy vendeve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku vlerësuan se "çdo hap i ndërmarrë dhe çdo reformë e zbatuar për përmbushjen e kritereve, është çertifikuar nga ekspertët e BE-së, të cilët kanë mundur të bindin organet vendimarrëse të BE, se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë të përgatitura për këtë proces historik, lëvizja e lirë në zonën "Shengen".
Basha tha gjithashtu se në takimin me homologun e tij diskutuan edhe për fushatën e informacionit në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, e cila sipas tij ka nisur prej kohësh në të dy vendet.
"Fakti që heqja e vizave për dy dikasteret tona do të thotë më shumë përgjegjësi, masat që kemi marrë për t’i dalë në krye kësaj përgjegjësie, konsistojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të integruar të kufijve, apo riintegrimit të të rikthyerve, si dhe rikthimit pa asnjë hezitim të çdo qytetari që dhunon termat e qëndrimit në kushtet e lëvizjes së lirë”, - u shpreh ndër të tjera Basha.
n.e/NOA