Stokholm, 8 tetor, NOA - Disidenti kinez Liu Xiaobo mori Çmimin Nobel të paqes për 2010-ën. Komiteti i Nobelit tha sot argumentim se Liun e dekorojnë për luftën e tij për të drejtat e njeriut.
Disa mbajtës të Çmimeve Nobel të Paqes qenë angazhuar në mbështetje të Liu Xiaobosë, midis tyre Dalai Lama dhe Desmond Tutu, ndërsa 300 artistë, juristë dhe profesorë patën nënshkruar një peticion në internet.
Prej dekadash është Liu Xiaobo njëri prej kritikëve më të njohur të aparatit të pushtetitkomunist në Kinë. Që prej rreth dy vjetësh, luftëtari i të drejtave të njeriut ndodhet në burg. Muret e burgut nuk janë gjë e re për burrin në mes të pesëdhjetave me trup të dobët, por me dëshirë të papërkulshme. Në një intervistë me ARD-në ai kujtoi në vitin 2007 arrestin e tij të parë - ai ndodhi pas shtypjes së përgjakshme të lëvizjes kineze për demokraci në vitin 1989:
"Unë po shkoja me biçikletë në shtëpi. Ishte rreth mesnatës. Një automjet më ndiqte pas në rrugë - dikur më detyruan të ndaloj. Nga automjeti dolën një grup njerëzish. Ata më lidhën sytë, më lidhën dhe më hodhën në makinë. E gjithë atmosfera qe shumë e frikshme. Unë kisha me të vërtetë frikë. Nuk e dija fare se ku po më çonin. Mendova se do të më çojnë diku dhe thjesht do të më vrasin".
Duhet të luftoj për drejtësi edhe për të vrarët
Filologu i specializuar për letërsi pati kaluar në vitin 1989 në anën e studentëve, pati kërkuar demokratizimin e Kinës. Gati dy vjet arrest nuk e frikësuan Liun. Arrestime të tjera pasuan në vitin 1995 dhe 1996. Liu Xiaobon e nxiste një ndjenjë detyrimi përballë viktimave në sheshin Tien An Men:
"Shumë njerëz të pafajshëm u vranë gjatë 4 korrikut. Unë besoj se si një person që kam mbetur gjallë, duhet të luftoj edhe për të vrarët, për drejtësi. Unë kam një lloj ndjenje detyrimi ndaj atyre që nuk jetojnë më, ndjenjë nga e cila nuk çlirohem dot."
Në fund të vitit 2008, Liu Xiaobon e arrestuan prapë: si iniciator kryesor të "Kartës 08", të botuar në përvjetorin e 60-të të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut. "Karta '08" është një manifest për modernizimin politik të Kinës. Në të kërkohet ndarje pushtetesh, liri mendimi dhe konkurencë e lirë e partive politike. Gruaja e Liu Xiabo-së, Liu Xia deklaroi në verë të këtij viti, se e kishte nuhatur se Partia Komuniste do ta bënte të shoqin ta paguante shtrenjtë "Kartën 08".
"Shumë do të kishin hequr dorë në vend të tij, por Liu ka vullnet jashtëzakonisht të fortë. Kur beson në një synim, atëherë ai ecën në atë drejtim, edhe sikur ta dijë se nuk mund ta arrijë atë kurrë."
Kina e kërcënoi Norvegjinë me pasoja
Ndërkohë, Kartën 08 e kanë nënshkruar më shumë se 10.000 kinezë. Por në ditën e Krishtlindjeve 2009, Liu Xiaobonë e dënuan me jo më pak se 11 vjet heqje lirie: për shkak të subversionit.
Burgun Liu e vuan në një burg 500 km në verilindje të Pekinit. Njëherë në muaj ai mund të presë vizita.
Kryetari i Komitetit norvegjez të Çmimit Nobel deklaroi se Kina kishte paralajmëruar shprehimisht që Liut të mos i jepej Çmimi Nobel. Ajo pati kërcënuar me pasoja negative për marrëdhëniet midis Norvegjisë dhe Kinës.
Deutsche Welle