Tiranë, 8 tetor 2010 NOA - Gjykata e Krimeve të Rënda i ka rrëzuar sot kërkesën e të shumëkërkuarit Dritan Dajti për të pasur avokat mbrojtës të dytë, Sokol Koçiun, një prej të dënuarve në dosjen “Kokainë”.
Kërkesa u bë në seancë nga mbrojtja e të pandehurit Dajti, Ledia Rama e cila paraqiti një vendim në gjykatë, ku e cilësonte se ai kishte të drejtën të bënte mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Dy prokurorët e çështjes e kundërshtuan kërkesën e avokates, duke e konsideruar atë jo ligjore, pasi Koçiu nuk disponon asnjë liçencë.
Kërkesa e Dajtit u rrëzua nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Koçiu mësohet të jetë edhe truri i mbrojtjes së dosjes së Dritan Dajtit.
47-vjeçari Sokol Koçiu u dënua me 12 vjet burg për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”.
Ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Koçiu, vuajti në burg pjesën më të madhe të dënimit, ndërsa i kishin mbetur afro 2 vjet të tjera burgim.
Ai u lirua më 20 maj të vitit të kaluar me kusht nga Gjykata e Tiranës, pas një sërë kërkesash të depozituara në Gjykatën e Tiranës, për ulje dënimi.
e.r/NOA
LEXONI GJITHCKA RRETH HISTORISE SE DRITAN DAJTIT