English

Hetimin i provave dixhitale dhe kompjuterike, trajnohen ekspertë shqiptarë

Tiranë, 8 tetor, NOA – E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Deborah Jones, ambasadorja e Gjermanisë Carola Mueller Holtkemper, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj morën pjesë në një ceremoni për përfundimin e një kursi trajnimi dhe dhurimi pajisjesh në Institutin e Policisë Shkencore, sektor i Policisë së Shtetit.

Ceremonia shënoi përfundimin e një kursi trajnimi të përparuar për hetimin e provave dixhitale dhe kompjuterike.

Programi i Ndihmës për Zhvillimin dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) dhe Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Kriminale (ICITAP) bashkëpunuan për të organizuar dhe sponsorizuar trajnimin, i cili pason një kurs intensiv tre-javor të zhvilluar në qershor.

Kurset u organizuan në përgjigje të një kërkese nga Policia e Shtetit dhe janë pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme të OPDAT dhe ICITAP për të rritur kapacitetet e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për të vënë në përdorim provat elektronike.

Pjesëmarrësit u trajnuan mbi kapjen, grumbullimin dhe analizimin e të dhënave elektronike, informacionit të inteligjencës, si dhe të dhënave nga pajisje dixhitale. Mësuan edhe menaxhimin e një laboratori dixhital kompjuterik, duke përdorur procedurat dhe metodologjitë e duhura proceduriale.

Puna e kësaj njësie do të jetë veçanërisht e dobishme për task-forcat, të ngritura si pjesë e Programit II të Pragut të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit.

Këto njësi me anëtarë nga disa agjenci ligjzbatuese ndjekin penalisht çështje të korrupsionit dhe krimit financiar, shumë prej të cilave kanë të bëjnë me sekuestrimin e kompjuterave dhe telefonave celularë. Një kurs tjetër trajnimi është planifikuar për në pranverën e vitit 2011.

n.e/NOA

KOMENTE