English

Ilir Meta: Sulmet ndaj Bregut si në komunizëm, ekstremisht të politizuara

Tiranë, 8 tetor, NOA – “Sulmet ndaj koleges Bregu mendoj se janë në mënyrën më ekstreme të politizuara dhe mendoj që sulme të tilla, pa asnjë lloj etike, thjesht bazuar në lidhje biografike si në kohën e komunizimit. Këto sulme janë të papranueshme”.

Kështu u shpreh ministri i Energjetikës, Ilir Meta, sot në një takim kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës, Mustafa Mujezinoviç, së bashku me delegacionin që e shoqëronte atë.

Ata vlerësuan nivelin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe u shprehën për forcimin e tyre në të ardhmen. Tema kryesore e bisedimeve mes delegacioneve ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, sidomos në fushën e energjisë.

Meta dhe Mujezinoviç kanë rënë dakord për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për të konkretizuar projekte të veçanta në interesin reciprok, por edhe në interesin rajonal.

Ata janë shprehur të dy optimistë që këto marrëdhënie do të njohin zhvillime të reja në muajt e ardhshëm.

Pikërisht për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve synohet organizimi i një forumi ekonomik në Sarajevë, ku të bëhen të njohura të gjitha mundësitë ekonomike që ofron Shqipëria, si dhe promovomi i turizmit shqiptar në Bosnje Hercegovinë, me qëllim tërheqjen e turistëve boshnjakë në bregdetin tonë.

Z.Meta, a do të ndërmarrë LSI ndonjë nismë në lidhje me deklaratën e Presidentit të Republikës për heqjen e imunitetit të personave të korruptuar, flasim këtu dhe për qeveritarë?

Mazhoranca e ka bërë të qartë se është e hapur për t’i hequr imunitetin çdo përfaqësuesi të saj, të cilit i duhet të bashkëpunojë me organet e prokurorisë. Jo vetëm kaq, por ka kërkuar dhe konsensusin e opozitës për të hequr imunitetin e çdo zyrtari të lartë dhe politikanëve. Ne shpresojmë që opozita të japë konsensusin e saj për këtë qëllim.

Sot në shtypin e përditshëm është folur për një bisedë që keni patur me z Nano. A mund të na thoni diçka më të saktë në lidhje me këtë bisedë?

Shtypi është i lirë të japë komentet e tij dhe të nxisë kreativitetin e tij, sepse jemi në një vend demokratik. Natyrisht që unë kam patur një komunikim me Nano dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe në një ditë të rëndësishme, sikurse ishte ajo e votimit të djeshëm nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë.

Ndërkohë dhe 84 votat për Gjykatën Administrative ishin pjesë e bisedës me Nano?

Biseda ka qenë shumë shoqërore, shumë konfidenciale dhe ka filluar pikërisht me urimin reciprok për heqjen e vizave nga Parlamenti Europian, dhe natyrisht që të gjithë jemi të bindur se këtu nuk përfundon rruga e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për tu bërë qytetarë të barabartë europiane, me të gjithë qytetarët e tjerë të Europës së Bashkuar.

Z. Meta, Partia Socialiste vazhdon të akuzojë ministren Bregu dhe kërkon dorëheqjen e saj. A keni një koment në lidhje me këtë çështje?

Sulmet ndaj koleges Bregu mendoj se janë në mënyrën më ekstreme të politizuara dhe mendoj që sulme të tilla, pa asnjë lloj etike, thjesht bazuar në lidhje biografike si në kohën e komunizimit. Këto sulme janë të papranueshme. Mendoj se znj. Bregu ka bërë një punë shumë të rëndësishme, si ministre e Integrimit Europian, në lidhje me koordinimin e një procesi madhor sikurse ka qenë ai ai përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian. Një proces i përfunduar me shumë sukses, ku ministria e drejtuar nga znj. Bregu ka patur një rol kyç. Unë i ftoj të gjithë politikanët të heqin dorë nga histori të tilla, duke u marrë me biografitë e politikanëve thjesht dhe vetëm për arsye politike. Cilido që ka një problem për një politikan e çon atë në prokurori dhe pastaj prokuroria mbështetet për të vepruar në respekt të ligjit. Duhet t’i japim fund kësaj histerie me kunetër, me kunata, me baxhanakë, edhe me vëllezër.

NOA

KOMENTE