Durrës, 08 tetor 2010 - Seksioni Kundër Korrupsionit në bashkëpunim të ngushtë edhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore TASK FORCE pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Mashinisti”.
Ky operacion ishte projektuar në drejtim të goditjes së fenomenit të shpërdorimit të detyrës në ndërmarrjet shtetërore.
Objekt i tij ka qenë dokumentimi i vjedhjes e tregtimit të karburantit nga punonjësit e Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
Kështu, në vijim të një hetimi disamujor, u bë i mundur dokumentimi i këtij aktiviteti të paligjshëm si dhe ekzekutimi i 7 vendimeve të Gjykatës së Rrethit Durrës për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasit:
1-Bujar Kapaj, 53 vjeç, banues në Durrës, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
2-Bajram Musiçi, 51 vjeç, banues në Shkodër, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
3-Fatmir Balla, 51 vjeç, banues në Durrës, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
4-Fejzulla Gjylbegaj, 51 vjeç, banues në Shkodër, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
5-Shpëtim Rexhepi, 50 vjeç, banues në Durrës, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
6-Gëzim Çorbaxhiu, 57 vjeç, banues në Durrës; mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore Durrës.
7-Rezart Gëzim Çorbaxhiu, 21 vjeç, banues në Durrës, i papunë.
Në bazë të hetimit të kryer nga struktura antikorrupsion Durrës, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë një periudhe relativisht të gjatë kohore, dyshohet të kenë përvetësuar sasi të ndryshme karburanti nga ajo e destinuar për trenat e udhëtarëve e të mallrave, të cilën më pas dyshohet t’ia kenë shitur shtetasit Gëzim Çorbaxhiu dhe djalit të tij. Këta të fundit kanë bërë tregtimin në pika të ndryshme shitjeje në Durrës të karburantit të vjedhur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe sende të cilat janë përdorur nga këta shtetas në funksion të ushtrimit të këtij aktiviteti si: 2 autovetura, 7 telefona celularë si dhe një shumë e konsiderueshme parash.
Vepra penale për të cilën akuzohen këta persona është ajo e vjedhjes më anë të shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim.
Në vijim, struktura për hetimin e krimit po punon në drejtim të identifikimit te personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet si dhe dokumentimit të plotë të çështjes.
Policia tha se materialet proçeduriale iu kaluan për hetime të mëtejshme Njësisë së Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
e.r/NOA