English

Ministri Imami: Brenda një viti, 3-fishuam demontimin e municioneve

Tiranë, 8 tetor, NOA – “Në fillim të vitit, plani ka qenë për të asgjësuar rreth 12 mijë ton municione, ndërsa deri tani kemi mundur të asgjësojmë 14 mijë ton, për të shkuar në 19. 442 ton municione deri në fund të vitit. Pra janë diçka më shumë se 5 mijë ton për të realizuar planin”.

Kështu u shpreh gjatë një konference për shtyp, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, duke shtuar se “gjatë këtij viti ne arritëm të 3-fishojmë evadimin e municioneve të tepërta duke patur të njëjtat mjete financiare dhe të njëjtin personel në dispozicion”.

Z. Imami, ju listuat një sërë arritjesh të rëndësishme për Minstrinë që ju drejtoni. Cilën prej tyre do të veçonit apo besoni se është më e rëndësishmja?

Në qoftë se do të mund të veçonim diçka, ndër të tjera, më lejoni të them se, së pari është rritja e kapacitetit operacional të Forcave të Armatosura. Misioni që aktualisht forcat speciale po kryejnë në Kandahar të Afganistanit, është i një rëndësie të veçantë dhe i një rreziku të shtuar. Për këtë duhet të jemi koshientë, sikundër është Parlamenti që e ka autorizuar, Qeveria dhe sigurisht FA. Kjo është një arritje e madhe e cila është e përfshirë në një palnizim afatgjatë që do ta ngrejë Batalionin e Forcave Speciale, në një batalion të nivelit më të mirë, në nivelet ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i shërbejë vendit, t’i shërbej NATO-s, ku Forcat Speciale, në mjedisin e ri të sigurisë, kanë marrë një vlerë të posaçme. Përgatitja e këtij misioni, suksesi me të cilin ata deri më tani po e realizojnë detyrën është inkurajues. Tregon një rritje të kapaciteteve tona, tregon forcën tonë, tregon edhe seriozitetin me të cilin është marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe SHP kjo detyrë dhe ky mision.

Elementi i dytë të cilin do të doja të veçoja është procesi i evadimit të municioneve. Janë me dhjetëra mijëra ton, është bërë e njohur, është folur në vijimësi për këtë çështje, fakti është që gjatë këtij viti ne arritëm të 3-fishojmë evadimin e municioneve të tepërta duke patur të njëjtat mjete financiare dhe të njëjtin personel në dispozicion, por për shkak të një menaxhimi të themi duket qartë që është efikas kemi arritur që ta 3-fishojmë. Kjo përbën një lajm serioz dhe real për të gjitha vendet e aleancës. Në këtë drejtim jemi modeli më i mirë, gjë që do ta shpërndajmë edhe në ministerialin e javës së ardhshme.

Vitin tjetër do të shtojmë kapacitetet, jemi një një moment të nënshkrimit të një marrëveshje me NAMS-ën që është një agjenci e NATO-s për problemet logjistike dhe besoj që do të shkojmë deri në 25 mijë ton. Është ende herët për ta thënë, por synimi ynë është ky. Sepse, duke shtuar kapacitetet do të ecim në këtë drejtim dhe ajo që është më e rëndësishme, janë këto elementë. Në qoftë se ne deri më sot kemi ecur për të shpëtuar, detyra jonë themelore ka qenë për të shpëtuar nga kjo barrë, nga kjo trashëgimi e keqe e së kaluarës. Ne tani jemi në gjendje që i gjithë procesi të nënshtrohet më shumë sesa një kërkese, dmth:

Duhet të jetë një proces me kosto më të ulët të mundshme ekonomike. Duhet të jetë një proces me koston më të ulët mjedisore. Për këtë qëllim, në vitin e ardhshëm do të funksionojnë stisteme të çmontimit që nuk kanë as edhe një lloj impakti mbi mjedisin dhe që ulin koston ekonomike dhe rrisin shumë efiçencën ekonomike të procesit.

Të gjitha planet janë të qarta, do të flitet qartë sesi do të shkojë deri në 2013-ën, apo ato që janë të pa rrezikshme deri në 2014. E gjithë kjo do të kryhet në mënyrë më të mirë të mundshme, me koston më të ulët ekonomike, sepse është janë lekët e taksapaguesve shqiptarë. Në fillim të vitit plani ka qenë për të asgjësuar rreth 12 mijë ton, ndërsa deri tani kemi mundur të asgjësojmë 14 mijë ton, për të shkuar në 19. 442 ton municione deri në fund të vitit. Pra janë diçka më shumë se 5 mijë ton për realizuar planin. Është e rëndësishme të theksohet se cilësia e këtij procesi do të vij në rritje. Besoj se është një nga sukseset më të mëdha tona. E fundit është reforma. Nuk mundet që ne të ecnim me mentalitet të vjetër, me një mënyrë jo efiçente administrative dhe problematike. Rezultatet që patëm po i shohim. Rezultatet që pritet në vitet e ardhshme do të jenë pikërisht të mbështetura në këtë ristrukturim të forcës, mbi këtë ristrukturim që i kemi bërë ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Nuk është fjala për reformë në konceptin thjesht të lëvizjeve mekanike apo ndërrimit të grupit të njerëzve. Këtu është mbajtur i njëjti grup njerëzish që kemi patur. Kemi shkurtuar rreth 15 % të numrit të punonjësve, në total për MM dhe SHP. Ajo që është e rëndësishme, është se kemi arritur të kemi një staf teknik të integruar ku punojmë së bashku, për të realizuar detyra që lidhen me mbrojtjen, sigurinë civilo-ushtarake.

Së dyti, konceptualisht, të gjitha problemet, që lidhen me njëra-tjetrën, sikundër demontimi, operacionet jo ushtarake i kryen ky staf i specializuar civilo-ushtarak, kurse SHP është dedikuar dhe fokusuar tek stërvitjet e specializuara, trajnimet, përgatitjet etj., për misione, realizim detyrash, brenda vendit që na takojnë si FA.

Çfarë po ndodh me projektligjin e SHISH-it?

Nuk është ministria e Mbrojtjes që e inicion apo e përgatit atë. Sikurse kam thënë disa herë nuk kam patur ndonjë imput nga NATO lidhur me këtë projektligj. Mund t’ju informoj këtu, se me ndihmën e SHBA-ve, kemi bërë reformën e plotë të shërbimeve inteligjente gjë që është mbyllur që në muajt e parë të këtij viti. Është një reformim, një ristrukturim bashkimi i të gjitha agjencive me qëllim që informacioni dhe analiza dhe më pas konkluzionet mbi bazë të këtij informacioni dhe këtyre analizave të jenë të bashkuara nga të gjitha sistemet dhe nga të gjitha agjencitë që operojnë në këtë fushë brenda për brenda sistemit të mbrojtjes. Ky është sensi me të cilin punohet sot në botë. Nuk ka më njësi të shkëputura të cilat përpunojnë në mënyrë të shkëputur që të mbledhin informacionin, të nxjerrin konkluzione dhe të bëjnë analiza, të cilat mund të jenë edhe kundërthënëse. Tani në kushtet e reja të mjedisit dhe sigurisë në botë këto agjenci brenda për brenda sistemit të mbrojtjes por edhe në një nivel shtetëror, shkojnë drejt kryerjes së detyrave në një shkallë të lartë bashkëpunimi.

Z.ministër, në fjalën tuaj ju nuk u prekët çështjen e cila ka të bëjë me marrëveshjen me Greqinë, për ndarjen e kufijve ujorë. A po negociohet, diskutohet me palën greke dhe nëse po, a mund të kemi detaje?

Ajo është një marrëveshje politike midis Ministrive të Jashtme të të dy vendeve.

Në një nga mbledhjet e sivjetshme të KM, kryeministri Berisha u shpreh se do të privatizohet çdo gjë shtetërore dhe këtu përfshiheshin edhe disa prona që ishin në pronësi të ushtrisë. Si po ecën ky proces?

Për të thënë të vërtetën ne kemi qenë iniciatorët, në një farë mënyre, të këtij projekti. Gjatë vitit të kaluar është bërë një studim nga MM, SHP, dhe një kompani amerikane CUBIC, e cila është e pajtuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve që ka arritur përfundimisht në shtrirje në hartën ku do të përqëndrohet ushtria jonë, cilat do të jenë vëndet, ku do të jetë vendosja e kësaj ushtrie. Mbi bazën e këtij plani ne kemi bërë një hartë të të gjitha pronave të tjera të cilat nuk mund t’i shfrytëzojmë, nuk na duhen, i kemi barrë dhe janë të pa nevojshme.

Për herë të parë në historinë e kësaj ministrie, në nëntorin e vitit të kaluar, kërkova të pasqyrohen në faqen zyrtare të ministrisë këto të dhëna, asokohe gati 50% të këtij grupi pronash të cilët nuk na shërbejnë më. Pjesa tjetër është plotësuar gjatë këtij viti. Kjo ishte detyra jonë. Këto ia kemi dërguar në dosje Kryeministrit dhe Ministrisë (METE). Ne jemi të interesuar vetëm që ky privatizim të kryhet sa më shpejtë, sepse duke u kryer sa më shpejt, e shkarkojmë nga librat tanë të llogarisë dhe njëkohësisht heqim përgjegjësinë për ruajtjen, për mbajtjen e tyre, për ç’ka ne shpenzojmë kohë, njerëz, mjete financiare.

Mjetet financiare që dalin nga këto prona i kalojnë ministrisë apo kjo e fundit çlirohet prej tyre në momentin e plotësimit të dokumentacionit?

Jo. Ka një rregull për të gjitha këto. Ministria e Ekonomisë përgatit procesin e privatizimit, ndërsa kjo e fundit kryhet nga Ministria e Financave. Këto nuk janë prona të ushtrisë. Ky është tërësisht një koncept i gabuar dhe që ka qenë i rrënjosur prej vitesh në këtë ministri. Këto janë prona të publikut shqiptar, ne jemi administratorë të tyre. Na i ka lënë shteti për kaq vite, nuk na duhen më. Ia kthejmë shtetit pasi është para dhe pronë publike. Ky është ligji për çdo pronë që shitet në RSH. Për procesin e privatizimit nuk mund të përgjigjem pasi ka një ministri përgjegjëse për këtë proces. Ky është një proces i pastër burokratik i cili nuk ka vend as për shumicën as për opozitën. Ky është neutral.

NOA

KOMENTE