Tiranë, 8 tetor 2010 NOA – Ai që u konsiderua si një operacion i rëndësishëm i Policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme degjeneroi sot në një flluskë pasi gjykata e Tiranës e liroi kancelarin e gjykatës së Krujës nga buregu ku u vendos për pak ditë.
Gjykata e Tiranës ka vlerësuar pak minuta më parë masat e sigurisë në ngarkim të 5 të arrestuarve për korrupsion pasiv në Gjykatën e Krujës.
Gjyqtarja e gatshme Arjana Caco vlerësoi masën e sigurisë arrest shtëpie për kancelarin e gjykatës së Krujës, Flutura Meço, ndërsa për të pandehurit e tjerë, Almir Meço, Adriana Xeba, Edmond Kalaja si dhe i dënuari Edison Harizaj gjykata ka vlerësuar masën e suigurisë ‘arrest me burg”.
Kancelaria është liruar për faktin se edhe bashkëshorti i saj ishte arrestuar, ndërsa kishin edhe një fëmijë 2-vjeç.
I dënuari Edison Harizaj ka pohuar se nuk ka kryer korrupsion aktiv ashtu siç akuzohet, pasi lekët ia kishte dhënë avokatit personit që i takonin. Mësohet se të akuzuarit e tjerë nuk kanë dhënë fare shpjegime para gjykatës.
Të pandehurit ranë në pranga dy ditë më parë në sajë të operacionit të koduar “Liria në provë”. Mësohet se ata kishin marrë shumën prej 9.5 milion lekë, që i dënuari Harizaj kishte dhënë për t’u liruar me kusht.
e.r/NOA