English

Shoqëria civile në politikë, partitë politike si shoqëri civile!

Dr. xhekilizmi (dyfytyrësia ) e saj qëndron në faktin se gjatë ditës e kanë sharë pushtetin ndërsa gjatë natës kanë bërë dashuri me të, qoftë si zhigolo, qoftë si kurtizana! Seancat seksuale- politike i kanë pasur sidomos me ndërkombëtarët me ç’rast e kanë shpalosur tërë pasionin e tyre që nuk mund ta gjeni as në veprat e Markiz de Sadit, babait të sadizmit!

Nga Behxhet Shala

Në vendet me demokraci të zhvilluar dhe konsoliduar, shoqëria civile është pjesa më aktive, më shpresëdhënëse e cila, si korrigjuese e gabimeve të politikës në fakt është gardian dhe garantues i demokracisë në ato shtete. Është zemra, shpirti dhe truri i vet shtetit andaj në këto shtete nuk hasim në dhunime të ligjit dhe demokracisë siç hasim në shtetet ku demokracia është më shumë shprehje linguistike se diçka që mund të shihet, preket apo përjetohet! Kosova e paraluftës dhe e pasluftës ka qenë vend e tash shtet ku demokracia nuk ka pasur adresë andaj nuk e kemi ditur ku është! Për shkak të rrethanave që ishin para luftës në Kosovë, e tërë Kosova u shndërrua në një OJQ ku disa OJQ-ë, sindikatat e ndryshme, ato humanitare bënin politikë siç bënin edhe partitë politike të sapo formuara e që ngjizja e tyre ishte bërë pikërisht në këto OJQ-ë! Emërues i përbashkët i këtyre aktiviteteve “politike” ishte lufta për mbijetesë meqë popullit shqiptar i kanosej një rrezik objektiv për shfarosje nga një regjim fashist dhe racist siç ishte regjimi serb! Qysh atëherë e sidomos pas përfundimit të luftës flitej për konceptin dhe rolin e shoqërisë civile në ndërtimin dhe forcimin e demokracisë në Kosovë! Jo se kishim ndonjë përvojë në këtë drejtim prandaj filluam ta imitonim shoqërinë civile në vendet e rajonit duke mos i marrë parasysh rrethanat specifike që ishin në Kosovë! Shoqëria civile në Kosovë e keqkuptojë rolin dhe misionin e saj sepse, me t’u bërë pjesë e proceseve, qëllimin e kishte të bëhej pjesë e pushtetit, qoftë në mënyrë makiaveliste apo si dr.Xhekili ( me dy fytyra), duke shkelur mbi parimin qytetar në emër të cilit edhe thirrej. Nuk pajtohem me shumë analistë që deklarojnë se shoqëria civile në Kosovë ka qenë e fuqishme dhe përcaktuese për shumë procese. Pikërisht është e kundërta sepse po të kishin një shoqëri civile të fortë në Kosovë, gjeografia politike, ekonomike, sociale, kulturore, morale do të dukej ndryshe e jo kjo që e kemi sot! Shoqëria civile në Kosovë ka pasur dhe ka edhe sot individë të fortë, të cilët kanë krijuar monopol duke luftuar ekskluzivisht për interesa personale duke e dobësuar dhe margjinalizuar kështu rolin e saj! Dr. xhekilizmi ( dyfytyrësia ) e saj qëndron në faktin se gjatë ditës e kanë sharë pushtetin ndërsa gjatë natës kanë bërë dashuri me të, qoftë si zhigolo, qoftë si kurtizana! Seancat seksuale- politike i kanë pasur sidomos me ndërkombëtarët me ç’rast e kanë shpalosur tërë pasionin e tyre që nuk mund ta gjeni as në veprat e Markiz de Sadit, babait të sadizmit! Dihet mirëfilli se jeta e tepruar e natës shkakton shumë dëme, nga pagjumësia deri te pasojat tjera! Disa bosë të shoqërisë civile në Kosovë kanë qenë aq të pandershëm sa që, kur kanë dështuar në politikë, përsëri i janë kthyer “ bazës” deleguese të saj, shoqërisë së dhunuar civile duke e komprometuar edhe më shumë! Fatkeqësisht, sot ata janë kritikuesit më të mëdhenj të pushtetit dhe përkrahësit më të fuqishëm të shoqërisë civile! Dhe asnjëri prej tyre nuk ka mbetur i pasistemuar dhe pa të ardhura materiale! Konformizimi i një numri të madh të këtyre individëve, josinqeriteti, dyfytyrësia, imoraliteti dhe grykësia e madhe e ka devalvuar në masë të madhe rolin e një shoqërie civile duke e shndërruar ate në një bujtinë buzë rrugës ku politikanët injorantë, për pak para dhe premtim se do t’u japin pakëz pushtet i shfryjnë epshet e tyre seksuale dhe të tjera!

PER-i dhe FER-i:

Nëse nuk më tradhëton kujtesa më duket se Diellza Kolgeci, para disa viteve e pati formuar një OJQ apo iniciativë për të rinjtë me synim që në një të ardhme ta shndërroi në një forcë politike e të cilën e ka emërtuar PER. Meqë kjo “ forcë” premtuese politike nuk duket të jetë konsoliduar në skenën politike kosovare medoj se Diellza Kolgeci ka vendosur të merret me punë më të mençura dhe për të cilat është e kualifikuar dhe ka predispozita . Dhe besoj se nuk është ndarë aspak me humbje, madje ka fituar.

Mbreti i kosovarëve që dikur deklaroheshin , torturoheshin, burgoseshin dhe vriteshin pse ishin shqiptarë, Ambasadori Kristofer Dell, disa muaj më parë, në një intervistë dhënë të gjitha medieve të “ pavarura”, elektronike dhe të shkruara pati thënë se tash në Kosovë u krijua një klimë për një subjekt të ri politik e që në fakt mund të llogaritet si datë e themelimit të subjektit më të ri politik në Kosovë i quajtur Fryma e Re apo si akronim FER. Përfolej se Shpend Ahmeti që drejtonte Institutin GAP do të ishte në krye të këtij subjekti e që doli si e vërtetë! Po kush e merr atë guxim që të mos i kryej detyrat e shtëpisë që i cakton Jupiteri i Dragodanit dhe Mbreti i kosovarëve me origjinë shqiptare?!! Ilir Deda nga KIPRED nuk përfolej si bashkëthemelues i subjektit të ri politik por si aderues në njërin nga subjektet ekzistuese politike,LDK –së në radhë të parë! Në shumë paraqitje publike dhe intervista Iliri e mohonte inkuadrimin e tij në politikë. Mirëpo , unë aspak nuk kam dyshuar se ky do të inkuadrohet në politikë meqë kohëve të fundit e pati sforcuar retorikën kundër politikës aktuale! Pjesë e së cilës ka qenë një kohë të gjatë, me të gjitha të mirat dhe të këqiat që prodhon politika aktuale! Dikush po e krahason me ORA-në e Veton Surroit e cila u arkivua në arkivin e partive të dështuara pas së cilës e humbi edhe emrin mirëpo përmes procesit të riinkarnimit u kthye me emrin Klubi për Politikë të Jashtme! Kjo është ajo që e thashë më lartë, e fillon si pjesë e shoqërisë civile, dështon në politikë dhe ringjallesh përsëri si shoqëri civile. Prandaj edhe nuk kemi shoqëri civile! Nuk e di me çka do të merret FER-i mirëpo nuk i japë gjasa të mëdha madje mendoj se ky do të jetë dështimi i radhës i individëve të fortë të shoqërisë civile në” luftën e demave”, në zgjedhjet e ardhshme! Proceset politike në Kosovë po finalizohen e në kuadër të kësaj edhe proceset integruese të Kosovës në BE dhe strukturat euroatlantike dhe ku, as FER-i, as PER-i nuk do ta kenë ndonjë ndikim! Kosova dhe qytetarët e saj po trajtohen nga BE si zhgjebanikë( njerëz me zhugë) andaj kemi mbetur të fundit në procesin e liberalizimit të vizave. Në fund të fundit liberalizimi i vizave për pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës ( me mbi 70% të varfër, 65% të papunësuar, 25-35% analfabetë, 10-15 % analfabetë me tituj shkencorë) nuk mund të llogaritet si ndonjë përfitim ! Në kartën e liberalizimit të vizave sot luajnë ata që janë në pushtet dhe nga opozita që i kritikon! Nëse edhe FER-i luan në këtë kartë, do të bëjë gabim strategjik shkaku se liberalizimi i vizave nuk është ajo nga e cila varet ardhmëria e Kosovës dhe qytetarëve të saj! Madje, kjo është stërkequr shumë dhe ka karakter ekskluzivisht mashtrues. BE nuk ka shumë alternativa. Ose do t’i hapë dyert edhe për kosovarët ose duhet ta zhvendosë edhe gjeografikisht Kosovën në Etiopi, Sudan dhe Somali! Neve vetëm gjeografia po na shpëton sepse BE , deri tash po na trajton si qytetarë të shteteve që i përmenda! Mos të flasë këtu pëe standardin jetësor i cili është ndoshta edhe më i ulët se në këto shtete! Të qenit individë të fortë nuk nënkupton që e keni të garantuar bazën e elektoratit. Madje, kjo më shumë mund të merret si hendikep, se si përparësi! Aq më parë kur elektorati në Kosovë ( ata që votojnë) janë të shquar për kah besnikëria ndaj subjektit që e votojnë! Janë tradicionalistë të cilët më shumë i obligon Kanuni i Lekë Dukagjinit se programet apo projektet politike të subjekteve që garojnë në zgjedhje! A do të jenë në shpërputhje ofertat e FER-it me mundësitë për t’i përmbushur premtimet e fushatës, do të shohim! Unë besoj se po! A do ta mbështesin “miqtë” ndërkombëtar projektin e FER-it dhe a do ta mbajnë fjalën?! Edhe kjo nuk është shumë e sigurt! Shembull të gjallë e kemi anëtarin e LDK-së, Fatmir Sejdiun! Të cilin pikërisht “miqtë” dhe “mikeshat” ndërkombëtare e kanë mbytur politikisht dhe moralisht për së gjalli! Dhe shumë dilema të tjera për këtë subjekt të ri politik me njerëz të fuqishëm por pa votues! Nëse FER-i megjithatë bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës e për këtë, të jem i sinqert nuk e besoj fare madje nuk i lejoj vetes as të shoh një ëndërr të tillë, kjo do të realizohet sepse po garon për herë të parë! Mund të premtojë çfarë të dojë, si dikur ORA dhe AKR-ë! Mund të pësojë fatin e fluturës ( e cila fluturon vetëm një verë) ndërsa këta ta kenë vetëm një mandat. Si dikur ORA e me gjasa të mëdha që këtë fat ta pësojnë edhe LDD dhe AKR-ë! Përkundër parashikimit tim të zymtë për FER-in, unë nuk ua dëshiroj këtë fat!

Por, nëse kthehemi pakëz prapa do të bindemi se të gjitha subjektet garuese në zgjedhjet e mëparshme të dala nga shoqëria civile, kanë dështuar si të tilla! Ndërsa, të gjithë individët e shoqërisë civile që janë inkuadruar si të tillë në subjektet ekzistuese politike, kanë përfituar ose më mirë të them janë shpërblyer me poste ministrore, ambasadorë, këshilltarë, anëtarë dhe drejtues të bordeve dhe poste tjera ku i kanë “ ra fukarallakut shkelëm”! Kanë mundur Enver Hoxhaj dhe Blerim Shala të formojnë parti politike por nuk e kanë bërë!! Mos mendoni se kanë gabuar?! Aspak!! Më dorëliri në këtë drejtim ka qenë PDK dhe lideri karizmatik i saj, zotni Hashim Thaçi i cili u ka dalë në fjalë atyre që u ka dhënë premtime! Edhe nëse është vonuar, përsëri premtimin e ka përmbushur! Prandaj, besoj se përfaqësues të shoqërisë civile më shumë do të aderojnë në subjektet ekzistuese se që do të tërhiqen nga subjektet garuese të shoqërisë civile! LDK dhe lideri i saj, me poste të dyfishta, ka qenë më dorështrënguar andaj është shndërruar në “ Fermë të Krokodilave”, po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit! Shpresoj dhe uroj që FER-i mos ta ketë fatin e ORA-së por as të PER-it ! Gjithashtu, shpresoj dhe dëshiroj që fushata të jetë FER, e dinjitetshme, e moralshme dhe e njerëzishme! Jam kundër asaj që dikush ta shfrytësojë rastin për ta diskualifikuar kundërshtarin duke i gërryer zorrët e së kaluarës apo prekur familjen! Kjo duket se po bëhet sidomos me Ilir Dedën. Prandaj e konsideroj si shumë të ulët, të pamoralshme dhe jonjerëzore!

Kermabo dhe 1 Prilli:

Krejt në fund, pensionisti nga Franca në pushime vjetore në Kosovë për tri vjet me radhë, me një pagë mujore prej dhjetra – mijra euro, si boss i EULEX-it, pasi u çyk me shlivovicë në Beograd dhe e mbushi barkun me bukë Kosove, prej një distance të madhe , nga Brukseli u zotua se do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke mos përjashtuar as arrestimin e politikanëve në pozita të larta! Çfarë mashtrimi! Së paku në fund është dashur ta thotë të vërtetën!

(*) Pikëpamjet janë qëndrime personale të autorit

KOMENTE