Tiranë, 8 tetor, NOA - Bashkëpunimi rajonal është një ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme, duke besuar se e ardhmja e rajonit tonë është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian.
Kështu u shpreh presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi me kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës, Mustafa Mujezinoviç dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Që të dy, shkëmbyen urimet e ndërsjella për vendimin e marrë nga Parlamenti Evropian lidhur me raportin për liberalizimin e vizave të dy vendeve tona me Bashkimin Evropian. Dy personalitetet e larta theksuan se ky është një hap pozitiv dhe një vlerësim i shumëpritur për punën e bërë nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, ndaj në këtë ditë ne kemi të drejtën të jemi krenarë, të gëzojmë, por edhe të jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat, të cilat na presin në rrugëtimin tonë të mëtejshëm integrues.
Gjatë bisedës, Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të dialogut politik dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe shprehu vullnetin e shtetit shqiptar për shtimin e shkëmbimit të vizitave të niveleve më të larta politike.
Duke theksuar nevojën për rritjen dhe intensifikimin e tyre po aq sa dhe të bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë që ky lloj bashkëpunimi t’i përgjigjet nivelit të dialogut politik.
Në vijim biseda u ndal në situatën e stabilizuar të rajonit të Ballkanit Perëndimor, sidomos pas krijimit të shtetit të ri e multi-etnik të Kosovës.
Nga ana e tij, kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, pasi uroi përzemërsisht kreun e shtetit shqiptar për arritjen e rëndësishme të përbashkët në drejtim të liberalizimit të vizave, vuri në dukje përparimin e madh të shënuar nga vendi ynë gjatë viteve të fundit.
Të dy personalitetet e larta shprehën bindjen se bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare-ekonomike do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për t’iu bashkangjitur familjes së madhe evropiane.
Në këtë aspekt, u vu në dukje edhe prania e komunitetit plotësisht të integruar boshnjak në Shqipëri, i cili shërben si urë e rëndësishme e komunikimit dhe e forcimit të kësaj lidhjeje e miqësie tradicionale që ekziston midis dy vendeve tona.
n.e/NOA