English

Tragjedia e Gërdecit, Dritan Minxholli shkarkon çdo përgjegjësi nga vetja

Tiranë, 8 tetor 2010 NOA – Seanca e radhës në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit ka vijuar sot me deklarimet e të pandehurve. Dritan Minxholli i ka bërë me dije trupit gjykues të kryesuar nga Ritvan Hado se nuk i ka bërë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes për kalibrat që depozitoheshin, pasi ai personalisht nuk ka qenë pjesë e lëvizjes së municioneve.

“Nuk i kam dërguar asnjëherë Ministrisë se Mbrojtjes ndonjë kërkesë, përpiluar apo firmosur nga unë, mbi kalibrat ose përcaktimin grafikut te sasive ditore te municioneve qe Forcat e Armatosura, me mjetet e tyre ushtarake, sillnin për demontim”.

Ndërkohë që i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s bëri me dije para gjykatës se ka qenë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm që miratuan kërkesën e SAC për demontim.

“Pas letër-kërkesës së tij, të datës 27 dhjetor 2006, korrespodenca me SAC, Patrik Henry, për sqarime, saktësime, plotësim sipas dokumenteve, është mbajtur nga struktura të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit. Në vlerësimin tim, kjo procedurë ka qenë normale, por unë do të citoj disa dokumente dhe përmbajtjen e tyre, për të sqaruar se unë nuk kam pasur asnjë rol në këtë pjese të procedurave”, deklaroi Pinari.

Në seancën e radhës priten deklarimet e të pandehurve të tjerë.

e.r/NOA

KOMENTE