English

Vidhnin karburantin e shtetit, operacioni “Mashinisti” arreston 7 punonjës hekurudhe

Durrës, 8 tetor, NOA - Dokumentimi i vjedhjes e tregtimit të karburantit nga punonjësit e Parkut të Mjeteve Hekurudhore në Durrës, i ka detyruar forcat e policisë së këtij qyteti që të vënë në pranga 7 punonjës të këtij institucioni.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë përkatësisht Bujar Kapaj, 53 vjeç, mashinist pranë Parkut të Mjeteve Hekurudhore të Durrësit; Bajram Musiçi, 51 vjeç, mashinist; Fatmir Balla, 51 vjeç, mashinist; Fejzulla Gjylbegaj, 51 vjeç, mashinist; Shpëtim Rexhepi, 50 vjeç, mashinist; Gëzim Çorbaxhiu, 57 vjeç, edhe ky mashinist dhe Rezart Çorbaxhiu, 21 vjeç, i papunë.

Ndalimi i tyre u bë i mundur në sajë të operacionit të koduar “Mashinisti”, ndërsa

ai ishte projektuar në drejtim të goditjes së fenomenit të shpërdorimit të detyrës në ndërmarrjet shtetërore.

Në bazë të hetimit të kryer nga struktura antikorrupsion në Durrës, rezulton se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë një periudhe relativisht të gjatë kohore, dyshohet të kenë përvetësuar sasi të ndryshme karburanti nga ajo e destinuar për trenat e udhëtarëve e të mallrave, të cilën më pas dyshohet t’ia kenë shitur Gëzim Çorbaxhiut dhe djalit të tij.

Më pas, këta të fundit kanë bërë tregtimin në pika të ndryshme shitje në Durrës të karburantit të vjedhur.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe sende të cilat janë përdorur nga këta shtetas në funksion të ushtrimit të këtij aktiviteti si 2 autovetura, 7 telefona celularë si dhe një shumë e konsiderueshme parash.

Vepra penale për të cilën akuzohen këta persona është ajo e vjedhjes më anë të shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim.

Në vijim, struktura për hetimin e krimit po punon në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet si dhe dokumentimit të plotë të çështjes.

Materialet proceduriale iu kaluan për hetime të mëtejshme Njësisë së Përbashkët Hetimore pranë prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE