English

Ali Ahmeti: Pa plan B, kërkohet kompromis

Shkup, 9 tetor, NOA - Ali Ahmeti, kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni, thotë për BBC-në se arritja e kompromisit me Greqinë për emrin është kusht kryesor për pranimin e këtij vendi në strukturat euroatlantike.

Sipas tij, në këtë drejtim është i paevitueshëm edhe roli i faktorit ndërkombëtar.

Këto komente zoti Ahmeti i bëri të premten nga Brukseli pas takimve me zyrtarë të lartë të BE-së dhe të NATO-s.

Kryeministri Nikola Gruevski dhe ju keni qëndruar këto ditë në Strazburg, përkatësisht në Bruksel. Për çfarë keni biseduar?

Është me interes, vërtet shumë të madh, që të gjithë të angazhohemi në drejtim të përshpejtimit të hapave drejt integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Dhe, cili është mesazhi i bashkëbiseduesve tuaj?

Gjatë këtyre tri ditëve kam pasur takime të rëndësishme, duke filluar që nga europarlamentarë, Komisioneri i Lartë për zgjerimin, Shtefan Fyle, si dhe me disa drejtori që kanë të bëjnë me zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së. Të gjitha porositë, të gjitha angazhimet, janë se Maqedonia ka edhe disa çështje mjaft të rëndësishme për t'i zgjidhur si çështja e kontestit me Republikën e Greqisë si i vetmi problem mjaft i rëndësishëm që kërkon zgjidhje që ne të jemi pjesë e strukturave të NATO-s dhe të BE-së.

Si mendoni se do ta tejkaloni këtë problem. Jo më larg se dje shefi i diplomacisë maqedonase, Miloshovski, ka bërë kryefajtore pikërisht Athinën zyrtare për pengimin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë?

Mendoj se as unë dhe askush tjetër nuk i shërben çështjes duke kërkuar fajtorin, por të gjithë duhet të angazhohemi që të gjendet një zgjidhje, të gjendet një kompromis, sepse Greqia është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe sigurisht vetë statusi i këtyre mekanizmave kaq të fuqishëm ndërkombëtarë mundëson që të dëgjohet fjala e Greqisë. Ne jemi fqinj dhe të gjithë duhet të kontribuojmë, sidomos ne si autoritete vendase duhet të afrojmë qëndrimet. Sigurisht se pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar apo thënë më mirë pa lehtësimin që mund të ofrohet nga komunitetit ndërkombëtar, mendoj që e kemi pak sa më vështirë që kjo rrugë të përshpjetohet.

Zoti Ahmeti, samiti i NATO-s po afrohet. Ka mundësi që Maqedonia të pranojë të hyjë në aleancën ushtarake të NATO-s me referencën përshkruese Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë?

Unë nuk mendoj se tani për tani kjo çështje është në rend dite. Që të gjithë bashkëbiseduesit, njerëzit kompetentë, me të cilët jemi takuar, të gjithë kanë shprehur qëndrimin se nuk ka plan B për Maqedoninë, por duhet të kërkohet kompromisi, duhet të arrihet kompromisi, dhe nuk mendoj se është zgjidhje që ne të mund të kemi ndonjë shpresë se mund të bëhet diçka me sintagmën përshkruese Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Maqedonia është shumë afër anëtarësimit në NATO, pasi ju pyetët drejtpërsëdrejti për samitin që do bëhet në Lisbonë. E dini, nuk ka nevojë të thirret samit dhe unë mendoj se takimi i Lisbonës nuk është takim për zgjerim. Dhe, mbase për Maqedoninë edhe nuk ka nevojë fare për samit sepse nëse e zgjidhë çështjen e emrit, mund të pranohet me një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Megjithatë, a nuk flet kjo për mungesën e kurajos së qeverisë së Maqedonisë për të arritur këtë kompromis me Greqinë fqinje. Ju jeni pjesë e Qeverisë, ndaj a mund të jeni më konkretë, kur mund të arrihet ky kompromis, apo nuk varet prej jush?

Momentalisht, as sot as nesër, nuk mund të flas në mënyrë hipotetike, por i githë angazhimi, të gjitha energjitë tona i kemi vënë në shërbim të çështjeve madhore dhe për ne çështje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe me priroritet, si për qytetarët ashtu edhe për përcaktimet programore të Bashkimit Demokratik për Integrim është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si e vetmja rrugë që mund t'i garantojë vendit stabilitet, paqe dhe siguri, perspektivë për zhvillim dhe mirëqenie. Prandaj ne si BDI nuk shohim ndonjë rrugëzgjidhje apo alternativë tjetër dhe të gjitha përcaktimet dhe angazhimet, qoftë në politikën e brendshme, qoftë në atë të jashtme, i kemi vënë në funksion të këtyre epërsive kaq të rëndësishme për vendin tonë, për gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kjo për shkak se zgjidhja dhe mbyllja e këtyre çështjeve do të thotë paqe, stabilitet, siguri, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin.

Mirëpo, si duket tani për tani nga qeveria juaj nuk ka sinjale se kjo mund të arrihet për së shpejti!

Prej të gjithë partnerëve, miqve tanë, kemi kërkuar që në këto momente kaq të rëndësishme të na ndodhen më pranë, të marrin përsipër më tepër angazhime, po ato angazhime që i patën deri në vitin 2005. Mendojmë që jemi para finales, kështu që ne na duhet edhe një inkurajim më i fuqishëm në këto momente kaq vendimtare që të kapim hapin e duhur drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO.

Folët për nevojën e kompromisit, po a mund t'i paraprijnë atij zgjedhje të parakohshme tek ju?

Nuk mendoj se në vend ka ndonjë krizë serioze, sepse zgjedhjet e parakohshme mbahen kur vendi është në krizë të thellë politike. Mendoj se ne energjitë nuk duhet t'i shpenzojmë në gjera të parëndësishme, por të gjitha angazhimet tona duhet të jenë në drejtim të mobilizimit të forcave për gjetje të zgjidhjes me qëllim që proceset të çohen përpara.

BBC

KOMENTE