Tiranë, 9 tetor, NOA - Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, përmes një deklarate për shtyp, ka përshëndetur sot miratimin e liberalizmit të vizave për Shqipërinë nga ana Parlamentit Europian dy ditë më parë.
Duke e cilësuar këtë, si “një gjest konfirmimi për zhvillimin e vendit tonë drejt integrimit në botën e demokracive perëndimore”.
“Pas shumë dekadash sakrifica, liberalizmi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian, është dhe përmbushja e ëndrrës së vjetër të shqiptarëve për të forcuar lidhjet me botën Perëndimore”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke shtuar se Aleanca e Shqipërisë me vendet demokratike të Europës ka qenë një vizion i hershëm i Mid’hat Frashërit, që nuk mund të realizohej për aq kohë sa Shqipëria ishte zaptuar nga komunizmi, i cili e përfshiu vendin në aleanca jo të favorizueshme, në mos të dëmshme, për interesat e tij.
“Vota e Parlamentit Europian është gjithashtu vlerësim politik për punën e qeverisë shqiptare në realizimin e reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE”, përfundon deklarata në fjalë.
n.e/NOA