English

Berisha nga Lukova: Rama nuk votoi Gjykatën Administrative se do të vjelë gjoba

Lukovë, Sarandë, 9 tetor, NOA – Nga fshati turistik i Lukovës në Sarandë ku inauguroi rrugën e re që të çon në det, Kryeministri Sali Berisha e akuzoi kreun e opozitës edi Rama, se nuk votoi ligjin për Gjykatat Administrative, pasi ky ligj do t’i hiqte mundësinë për marrjen e 20 përqindshit të tij.

“Rama nuk e votoi këtë ligj të rëndësishëm për biznesin në vend, se donte të vilte gjoba prej biznesit”, theksoi zoti Berisha.

Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta votojë ligjin për Gjykatat Administrative pasi ky ligj sipas Berishës do të eliminojë 20 përqindshat.

Kryeministri Berisha foli në Lukovë edhe për lëvizjen e lirë.

“Shqiptarët do të lëvizin të lirë në fund të këtij viti”, tha kryeministri, duke nënvizuar se bota do ta shohë ndryshe Shqipërinë pas marrjes së këtij vendimi të shumëpritur për shqiptarët.

Në këtë suazë, Berisha rishtas e ka shënjestruar liderin e opozitës, duke i bërë thirrje të bëhet pjesë e ndryshimeve, pasi sipas Berishës, kryesocialistit Rama i ka mbëtur ora në kohët e vjetra.

Kryeministri Sali Berisha vijoi më tej të flasë për investimet e mëdha të qeverisë në infrastrukturë, për të cilat kryeministri premtoi se do të vazhdojnë për ta bërë të asfaltuar edhe çdo rrugë komune të Shqipërisë, sikundër u asfaltua edhe rruga e komunës bregdetare të Lukovës.

mit/NOA
KOMENTE