English

Berisha, Ramës: Hiq dorë nga përrallat e xhumasë dhe votojmë Gjykatën Administrative

Lukovë, Sarandë, 9 tetor, NOA, Update – Nga Lukova ku inauguroi rrugën prej 3.6 kilometrash që të çon nga fshati Lukovë drejt detit, një investim i qeverisë me vlerë rreth 140 milion lekë, kryeministri Sali Berisha i ka çuar një apel kryetarit të Opozitës, Edi Rama se nuk e votoi ligjin për Gjykatën Administrative pasi kjo gjykatë do t’i bllokonte Edi Ramës 20 përqindëshin që merrte për lejet e ndërtimit në kryeqytet. “Më duhet të them se nuk votove se ajo gjykatë, do të bllokonte 20 përqindëshin, do të prishte me vendimet e ligjit duart e ekzekutivit lokal apo qendror mbi biznesin dhe arbitraritetin. Nuk e votove se do të vjelësh gjoba 20 përqindëshe për pallatet që ndërtohen, sepse nuk është interesi i klanit, i kupolës që ti drejton”, deklaroi Berisha nga Lukova.

Në këtë kontekst shefi i Ekzekutivit i bëri thirrje Ramës se “në rast se të ka mbetur qoftë edhe kuanti më i vogël i logjikës, ndrysho mendimin, të votojmë Gjykatën Administrative, edhe në rast se projekti është djegur, në shenjë të vendosmërisë sonë për të vendosur vlera në këtë vend, por edhe në shenjë të një mirënjohjeje të pakufishme ndaj vendit që vetëm me këtë agjenci i ka dhuruar popullit shqiptar falas mbi 700 milion dollarë dhe disa prej tyre janë investimeve edhe në zonën e bregdetit, janë në kredi dhe në forma të ndryshme, por janë edhe në Valbonë, edhe në zonat më jugore, janë në Korçë tek fermerët e Korçës, janë në shkolla, në prokurimet publike”.

Kreu i qeverisë ka ironizuar edhe deklaratat e kryesocialistit Rama në bashkëbisedimin me gazetarët, duke i thënë Ramës se të gjitha akuzat e tij janë një ofendim për mbarë qytetarët shqiptarë, duke iu referuar fjalisë së Ramës kur u tha shqiptarëve se nuk e kish votuar ligjin për Gjykatën Administrative për të mos i dhënë Berishës edhe një sistem gjykate.

“Zoti Rama, më duhet të them se je larg, të ka mbetur ora në kohërat më të errëta. Ti ofendon shqiptarët, sepse harron një gjë, që SHBA-të kanë tek Sali Berisha vetë, Partia Demokratike partnerin kryesor strategjik, por, nga ana tjetër, është e vërtetë që SHBA-të nuk do të pranonin kurrë t’i jepnin në dorë Sali Berishës, mikut dhe aleatit të tyre, asnjë gjykatë dhe asnjë sistem drejtësie, se SHBA-të frymëzojnë shqiptarët dhe mbarë popujt e botës, me lirinë e tyre, e cila ka shtyllë kryesore drejtësinë e pavarur dhe vetëm drejtësinë e pavarur dhe vetëm drejtësinë e pavarur”, tha kryeministri.

Sipas kryeministrit, të pretendosh se Agjencia Amerikane e Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar punoi dy vite për të ndërtuar një sistem gjykate administrative dhe për t’ia dhënë dhuratë Sali Berishës, don të thotë se Edi Rama u tregon shqiptarëve përralla me mbret, që nuk i beson asnjëri.

Kryeministri Berisha e ftoi rishtaz kryetarin e PS-së të heqë dorë nga përrallat e xhumasë dhe të behet pjesëmarrës në ndërtimin e Shqipërisë europiane, në ndërtimin e të ardhmes. “Sigurisht, ndërtimi i rrugëve, i ujësjellësve, i kanalizimeve është detyrë e qeverisë dhe ti ke të drejtë t’i kërkosh gjer më një qeverisë, sesi po i përdor paratë, por nuk ke kurrë të drejtë të bllokosh fondet e qytetarëve shqiptarë dhe të thuash se për inat të Sali Berishës, unë dënoj qytetarët shqiptarë, për inat të Sali Berishës unë ndëshkoj PS-në dhe e kthej atë drejt origjinës. Këto, zoti Rama, nuk i ke të drejta”, bëri me dije kreun e opozitës, zoti Berisha.

mit/NOA
KOMENTE