Çka po ndodh kështu? Kur dy nga vendet krijuese të Bashkimit Evropian, që tradicionalisht ishin përkrahësit më të mëdhenj të vizionit federalist të Evropës, kalojnë në shoqëri që ndahen në vija etnocentrike, ndërsa dy forcat kryesore të Evropës, Gjermania dhe Franca, janë shumë të zëna me argumente për Islamin dhe përzënien e romëve, bëhet e qartë se zemërimi dhe ankthi kanë fituar në kontinentin e vjetër
Nga Roger Cohen
Që prej rrëzimit të Murit të Berlinit nuk është thënë me zë kaq të lartë fjala “Evropë”. Fakti që fjala “Evropë” u tha me zë shumë të lartë në tokën britanike, çështja bëhet edhe më interesante. Rasti ka të bëjë me fitoren e evropianëve në një ndeshje golfi kundër ekipit të Shteteve të Bashkuara. Pas fitores, valimi i flamurit ngjyrë kaltër e ari i Bashkimit Evropian, flamur ky që zakonisht shihet prapa një ministri të BE-së, e kompleton tablonë bizare. “Ishte shumë gazmore për ne” kur, pas ndeshjes, dëgjuam të thirrej me zë të lartë “Evropë”, më tha sekretari i çështjeve evropiane në Belgjikë, Olivie Çastel. Kjo ndjenjë e sekretarit belg arsyetohet me faktin se evropianët në pjesën kontinentale mendojnë që miqtë evropianë në pjesën britanike kanë një këndvështrim të veçantë për integrimin evropian. Kur një belg thotë se këndvështrimi britanik është i veçantë, atëherë duhet të nënkuptohet se fjala është për këndvështrim armiqësor. Idealizmi që dikur përfshinte dhe idenë për Shtetet e Bashkuara të Evropës, diçka që çoi para idenë e monedhës së përbashkët si dhe zhdukjen e luftës në këtë kontinent, tani është përfshirë nga një epidemi e mendjeve të ngushta. Ideja evropiane, ideja më transformuese e gjysmës së dytë të shekullit 20, tashmë është zbehur. Nuk është e çuditshme që presidenti Barak Obama shmangu një takim në mes të BE-së dhe SHBA-ve, ndërsa dhe planet për një samit të tillë në nëntor duket se shumë vështirë mund të realizohen. Belgjika, vendi që e mban presidencën e BE-së, gjendet vetë para shpërbërjes. Bile, edhe krijimi i një qeverie të re në Belgjikë, për shkak të dallimeve në mes të popullatës frankofone dhe asaj flamane, duket aspak më i mirë sesa krijimi i një qeverie në Irak. Belgjika mund të përfundojë e ndarë në stilin çekosllovak, diçka që kërkohet më shumë nga partia separatiste flamane, një fitues i madh i zgjedhjeve të fundit. Situata në Holandë nuk është aspak më e mirë, pasi ky vend gjithashtu e pati shumë të vështirë të formojë qeveri të re, sidomos pas forcimit të një partie djathtiste, e cila politikën e mbështet në identitet. Çka po ndodh kështu? Kur dy nga vendet krijuese të Bashkimit Evropian, që tradicionalisht ishin përkrahësit më të mëdhenj të vizionit federalist të Evropës, kalojnë në shoqëri që ndahen në vija etnocentrike, ndërsa dy forcat kryesore të Evropës, Gjermania dhe Franca, janë shumë të zëna me argumente për Islamin dhe përzënien e romëve, bëhet e qartë se zemërimi dhe ankthi kanë fituar në kontinentin e vjetër. Ideja evropiane ka vuajtur nga mungesa e një debati të sinqertë, pasi kjo gjë ishte penguar nga teknokratët. Thirrja që u dëgjua në Angli për Evropën, nuk kishte të bënte me federalizmin e BE-së. Kjo thirrje u bë për shkak se u mund Amerika në ndeshjen e golfit. Megjithatë, kjo thirrje me zë të lartë për Evropën thotë diçka për ndjenjat e shtypura që ekzistojnë, ndërsa shihet si momenti më fascionues që nuk ka ndodhur për një kohë të gjatë në Evropë.
* “The New York Times”, përkthyer nga Evropa e Lirë