(Apo: Hashim, Jakup, Fatmir, Enver, Nexhat, Behxhet…pushtet e qeveri dhe të gjithë politikanë tjerë të mallkuar! Edhe ju e ashtuquajtura “shoqëri civile” pjatëlëpirëse dhe vjelëse e fondeve të huaja! A thua, kah po shkon kështu me ju shoqëria jonë?!)
Nga Adnan Abrashi
Si duket, perioda pas bombardimeve dhe hyrjes së trupave të NATO-s, Kosovës tonë të dashur nuk i solli vetëm lirinë dhe demokracinë kaherë të pritur, por shikuar nga "ana tjetër e medaljes", ky realitet i shumëpritur për ne, ishte edhe mjaft i hidhur. Përveç problemeve të ndryshme ende të pazgjedhura materiale, sociale, politike etj., ne si shoqëri, u desh të ballafaqohemi edhe me shumë dukuri të pazakonshme morale, të cilat, edhe nëse merren nga aspekti tradicional, aspak nuk përkojnë me mentalitetin tonë shqiptar. Por, sikur thoshte një i urtë i yni, çdo krizë politike, ekonomike, juridike ...që momentalisht e ka kapluar një shtet, me kohë, patjetër do të tejkalohet, por pasojat e një krizë të përgjithshme morale - KURRË!
Sikur po na shpaloset ky realitet sot, e tërë Kosova është e zhytur në gënjeshtra. Me sa duket, asgjë më nuk është ashtu sikur na prezantohet. Miku gënjen mikun, gruaja burrin, prindërit fëmijët, fëmijët prindërit, i dashuri dashnoren…etj. Kudo dhe në çdo hap gënjehet dhe vetëm gënjehet. Gënjejnë më të mëdhenjtë dhe më të nderuarit, gënjejnë: kryetari, kryeministri dhe ministrat, dhe klerikët; gënjehet në deklarata dhe proklamata, në televizion, radio dhe gazeta… kudo dhe në çdo hap gënjehet! Si duket, gënjeshtra na është bërë si art i të jetuarit dhe si një ves që e ka përfshirë çdo pore të jetës sonë, që nga familja, politika, e deri tek tregtia; që nga sporti, e deri tek kultura; që nga ideologjia, e deri tek zbavitja… Kudo të shkosh, çdo kund dhe në çdo hap sundon principi i “hedhjes së pluhurit në sy”, ose, më “shul shqip”, ”kush kujt mundet me ja ngulë”! Pra, gënjeshtra na është bërë pjesë e pandashme e realitetit tonë, duke na u instaluar si një shprehi negative e morali të ri shoqëror në vazhdimësi.
Një shqetësim tjetër tejet brengosës social, në Kosovën sot, padyshim se është fenomeni i vetëvrasjeve të shumta. Dukuri kjo, që në shoqërinë tonë të re "moderne", vit për vit po jep shenja brengosëse të një rritje marramendëse. Atdheu ynë i dashur, deri më dje një regjion me popullatë më të shëndosh me më së paku vetëvrasje, sot radhitet në mesin e shteteve me përqindje më të madhe statistikore të atyre që atakojnë ndaj jetës së vetë. E, pra... për këtë katastrofë, sinjali i kuq kaherë është ndezur, por, fatkeqësisht, me të, sot te ne më tepër merren gazetarët dhe mediet se sa shoqëria e organizuar dhe shteti.
Një ditë mëngjesi të fundshtatorit të sivjetmë, disponimin tim të zakonshëm ditor e trazoi një lajm i kobshëm. Diçka shumë të keçe që kishte ndodhur pikërisht në lagjen time dhe në fqinjësi me mua: një vrasje mizore e kryer me armë të ftohtë. Kryesi i kësaj vepre të rëndë: një djalosh që edhe unë e njihja mirë, e viktima: një zonjë e respektuar dhe e nderuar nga e gjithë lagjja jonë. Të mësuar jo rrallë me këso vrasje nga kronikat e përditshme të zeza nëpër gazeta tona ditore, në shikim të parë, kjo ngjarje aspak nuk do të merrej edhe aq lajm i jashtëzakonshëm, po të mos ishin në këtë rast vrasësi dhe viktima në raport- NËNË e BIRË. “O tempora o mores”. A thua, deri këtu ka arritur kjo krizë e shoqërisë sonë, që një instinktit i lindur i dashurisë ndaj nënës të çrregullohet deri në atë masë ekstreme saqë biri të ngre dorë ndaj krijesës më sublime në botë- NËNË, të cilën, thuhet se e kishte dashur më së shumti. Shkaku: gjendje e çrregullimit të rëndë momental psikik të kryesit. Por, edhe pse nga ekspertët e hetuesisë kriminalistike më vonë do të dihen shumë detale edhe më të imta rreth kësaj vrasjeje mizore, dyshoj se kurdoherë më thellësish dikush do te merret me e motivin e vërtetë psikologjik të saj, gjegjësisht, me shkakun si pasojë. A thua, çka e ka nxitur këtë djalosh të njomë, të njohur nga të gjithë ne si i dashur, i qetë dhe social, që për një çast dhe papritur, në mendjen e tij të padjallëzuar rinore të vendosi për një veprim aq ekstrem dhe mizor?? I pakënaqur me rrethin dhe gjendjen momentale të pozitës së tij në shoqëri, pa dyshim.
Disa ditë pas këtij rasti, në gazetën tonë ditore “Kosova Sot” lexoj një artikull edhe më rrënëqethës: “INCEST – Heshtën rastet” - Në shtrat, me xhaxhanë - “Një vajzë e re nga Theranda, nxënëse e shkollës së mesme ka mbetur shtatzëne, dhe pasi ka lindur, ajo ka deklaruar se është dhunuar nga personat e panjohur. Por, pas marrjes në shqyrtim të rastit nga ana e shërbimit policorë të QPI-së vajza ka pranuar të vërtetën se ka mbetur shpatëzën me një anëtarë të familjes së saj”. Më tej, artikulli në fjalë, ne mes tjerash konstaton : “Shumë herë hasim në tema të ndryshme të fenomenit të incestit, se vajza ka denoncuar babanë, xhaxhanë apo ndonjë të afërm tjetër për tentim dhunimi apo dhunim”. “Medet e haj medet”! A thua edhe kjo po na ngjanë neve si popull që përherë jemi krenuar me virtyte tona të larta morale në këtë drejtim?!
Inspekcioni komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në emër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbylljes së lokaleve ku ushtrohej prostitucioni, kohë më parë, në qytetin tim, kishte ndërmarr një aksion të suksesshëm operativ. Si rezultat: arrestohen disa vajza që merreshin me prostitucion, dhe, ajo çka më shqetësoi tepër në këtë lajm, ishte se, prej të gjitha femrave të prangosura prostitute, numri më i madh i tyre ishin shqiptare. Motrat tona që për një cop të kafshatës së bukës, janë të detyruar ta shesin gjënë më të vlefshme të integritetit të vetë qenësor – TRUPIN dhe NDERIN?!
Andaj, ALARM o milet! Kosova dhe kombi jonë janë në rrezik të madh të përfshirjes nga një krize e thellë morale! Patjetër se dikush është fajtor për këtë gjendje. E këta fajtor kyç, kusht mund të jenë përveç ATA që na udhëheqin dhe që çdo ditë na bombardojnë me dokrra boshe se ne jemi shtet i vërtetë demokratik i ndërtuara mbi principe më bashkëkohore të humanizmit dhe prosperitetit gjithënjerëzor, në të cilën, njeriu si individ dhe mirëqenia sociale e gjithë qytetarëve të saj si kolektivitet, janë në plan të parë të parimeve dhe preokupimeve të tyre vepruese. Nuk ka ditë që në mediet tona elektronike dhe të shkruara , nuk dëgjojmë apo lexojmë për ndonjë promovim pompoz nga ATA të ndonjë rruge, shkolle apo objekti tjetër infrastruktural...e në anën tjetër, sipas të gjitha raporteve të instituteve të ndryshme hulumtuese profesionale vendore dhe ndërkombëtare, gjendjea faktike në shtetin tonë të ri, si nga pikëpamja politike, ekonomike, sociale, juridike ... na del katastrofale, duke u radhitur në mesin e shteteve më të varfra dhe me standard më të ultë të popullsisë në botë. Mu për këtë shkak, sikur unë të kisha sado pak fuqi dhe mundësi, për çdo vdekje, vetëvrasje, vrasje dhe ndonjë vepër tjetër kriminale të kryer nga gjendja psikike e situatës së padurueshme ekzistuese materiale dhe shoqërore-politike të ndonjë individi, si bashkëfajtore indirekte e kësaj vepre penale, e kisha paditur në gjyq edhe qeverinë dhe garniturën e tashme udhëheqëse politike.
Dhe, krejt në fund, dijeni ju : Hashim, Jakup, Fatmir, Enver, Nexhat, Behxhet…pushtet e qeveri, dhe të gjithë politikanë tjerë të mallkuar! Edhe ju e ashtuquajtura “shoqëri civile” pjatëlëpirëse dhe vjelëse e fondeve të huaja... “Në një vend ku zotëron dekadenca morale, populli është i dënuar të robërohet, dhe shteti i tij të shkatërrohet”. Kështu thoshte dikur Haki Stërmilli ynë i madh...