Lukovë, 9 tetor, NOA – Gjatë turit të tij dy ditor në Jug të vendit, përkatësisht në përurimin e rrugës së Lukovës, me gjatësi 3.6 kilometra, një rrugë që i kushtoi rreth 140 milionë lekë buxhetit të shtetit, një rrugë që i bashkohet të tjerave në bregun e Jonit, që zbresin në det, kryeministri Sali Berisha shprehu kënaqësinë e tij se janë plotësuar tashmë me një infrastrukturë moderne pothuajse të gjitha rrugët që lidhin fshatrat e Jonit me bregdetin.
“Shpreh gëzimin tim të ndaj me ju inaugurimin e rrugës që lidh komunën tuaj me bregun e mahnitshëm të detit që keni këtu pranë. Me inaugurimin e kësaj rruge, në të gjithë gjatësinë e bregut të Jonit, nga Llogaraja deri në Ksamil, na mbetet vetëm ndonjë segment, rrugën e Palasës, të cilën unë e kam lënë ta inauguroj sëbashku me opozitën”, tha shefi i ekzekutivit në fjalën e tij.
Kryeministri Berisha garantoi se brenda 6 mujorit të vitit që vjen, qytetarët shqiptarë nga Morina e Kukësit, deri në Konispol do të lëvizin në rrugë të reja.
“Unë ju garantoj ju se qeveria do të përmbushë çdo detyrim, për ndryshimin me shpejtësi të jetës suaj. Kam ardhur në jug dhe gjatë këtij turneu inauguroj me dhjetëra kilometra rrugë, por kam kënaqësinë t’ju them se brenda 6 mujorit të vitit që vjen, qytetarët shqiptarë nga Morina e Kukësit, deri në Konispol ecin nëpër rrugë të reja dhe këto zhvillime, të cilat janë të një rëndësie të madhe për çdo qytetar, shprehin një përkushtim të madh tuajin, por dhe të qeverisë suaj për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë evropiane”, theksoi zoti Berisha.
Në takimin me banorë të Lukovës, Kryeministri u shprehu përgëzimet për vendimin e Parlamentit Europian për heqjen e vizave për shqiptarët, duke e konsideruar atë një vlerësim të ndershëm, për mundin e shqiptarëve dhe reformat e suksesshme që janë realizuar vitet e fundit.
“Për mbarë Europën, për çdo qytetar evropian, kur të mësojnë se për shqiptarët janë hequr vizat, kjo do të thotë se ky është vend i sigurisë maksimale, do të thotë që të shkojnë sa më shpejt në Shqipëri, do të thotë të njohin më shumë turizmin shqiptar, brigjet, malet, peizazhet e këtij vendi”, tha kryeministri duke nënvizuar se heqja e vizave do të thotë për rininë shqiptare mundësi të mëdha lëvizje, mundësi të mëdha aplikimesh, do të thotë një hapësirë tjetër shumë më e madhe.
mit/NOA