English

Mesazhi i Fyle, PS: Berisha të angazhohet për zgjidhjen e ngërçit politik, përmes transparencës

Tiranë, 9 tetor, NOA – Pas deklaratës së kryeparlamentares Jozefina Topalli se mazhoranca i ka dhënë një ofertë të madhe opozitës që të propozojë dhe propozimet e saj të votohen, ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila deklaroi se komisionari për Zgjerimin, Stefan Fule shprehu shqetësim një ditë më parë për krizën politike në Shqipëri si dhe për arritjen e standardeve më të larta në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sipas deputetes Leskaj, komisionari Fule nxiti kryeministrin Berisha të angazhohet për arritjen e një kompromisi, që duhet të garantojë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, një transparencë që sipas Leskaj, ka mbërritur në limitet e fundit kohore, pasi në maj do të mbahen zgjedhjet vendore. Në këtë kontekst, deputetja socialiste ripërsëriti ofertën e opozitës, që ngërthen ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në përputhje me rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për krizën në Shqipëri.

Leskaj nënvizoi se ky komision me mazhorancë e drejtim të opozitës, duhet të ketë edhe mandat të pakufizuar, që përfshin investigimin e kutive të materialeve zgjedhore, ndërkohë, sa i përket fletëve të votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias.

Sipas Leskaj kjo ofertë e PS-së, mbështetet tërësisht në rezolutën e Parlamentit Europian për krizën politike në Shqipëri, por si e tillë ajo ka hasur vazhdimisht në zvarritjet dhe vonesat e qëllimshme të kryeministrit, çka konfirmon mungesën e vullnetit politik dhe provon se Sali Berisha i vodhi zgjedhjet e 28 qershorit për të grabitur më pas Shqipërinë e shqiptarët.

“Në emër të PS-së i kujtoj Sali Berishës, që të mos ketë asnjë iluzion e shpresë për t’iu shmangur transparencës si një e drejtë legjitime kushtetuese dhe si një garant për të plotësuar standardet në zgjedhjet e ardhshme”, tha zonja Leskaj.

Ajo evidentoi se “fakti që kjo letër e komisionerit i drejtohet kryeministrit Berisha, nuk lë vend për dyshime se ku duhet kërkuar shkaku i tejzgjatjes së krizës politike në Shqipëri”.

“Letra e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, është një kërkesë e mesazh i qartë për kryeministrin Berisha që të angazhohet për të gjetur zgjidhjen e krizës; zgjidhje që duhet të kalojë përmes transparencës së plotë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrihet normalizimi i situatës politike në Shqipëri dhe garantimi i aktivitetit të plotë legjislativ”, siguroi deputetja socialiste, Valentina Leskaj.

mit/NOA
KOMENTE