English

Pasqyra e Shtypit, 9 Tetor 2010

Tiranë, 9 tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Shtunë, 9 tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme vrasjen e ndodhur dje në Shkodër, ku për gjakmarrje u ekzekutua pastori i një kishe. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i letrës së dërguar nga sekretarja amerikane e Shtetit ish-ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Ato flasin edhe për reagimin e socialistëve për vijimin e protestave, shoqëruar me përgjigjen përkatëse të kryeministrit rreth tyre.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Mafia, Majlinda Bregu në hetim”, i cili citon faktin sesi organi i akuzës do të hetojë pasuritë dhe bizneset e kunetërve të ministres së Integrimit.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Meta: Telefonata ime me Nanon? Miqësore dhe konfidenciale”.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Shkodër, pastori ekzekutohet në mes të qytetit”, referuar krimit të ndodhur dje në qytetin verior.

“Socialistët: Nuk ka Gjykatë Administrative pa transparencë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Për gjakmarrje/ Ekzekutohet pastori në mes të Shkodrës”, i cili zbardh ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në mbrëmje në qytetin e Shkodrës.

Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Protestë në Orikum për shqiptarin e arrestuar për pedofili”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Inis Gjoni i rikthehet bashkëjetesës me Arjan Selimin, i liruar nga burgu 3 javë më parë”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Fyle letër Berishës: Zgjidhni krizën, jeni në rrugë pa krye”, i cili tregon detaje letra që komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle i ka nisur kreut të qeverisë shqiptare për të zgjidhur krizën politike në vend.

“Shitja e pronave ku shteti ka aksione, zbardhet formulari”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Kristo Frashëri replikën me Janullatosin: Ke firmosur për Himarën si krahinë greke”.

“Zbaton Kanunin, vret pastorin e Kishës për gjakmarrje” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Listat e zgjedhësve, qeveria i heq eksesin pushtetit vendor”, i cili tregon sesi bashkitë dhe komunat po mënjanohen nga procesi i listimit të zgjedhësve

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Metropoliti i Beratit: Kosova, Jeruzalemi i Ballkanit”.

Ndërsa çështja e gjakmarrjes, mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Gjakmarrja, vritet në Shkodër pastori i kishës”.

“Orikum, banorët protestë para konsullatës greke” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Berisha: Opozita, thirrje që të braktiset Shqipëria”, i cili i referohet deklaratës së bërë dje nga kryeministri Berisha lidhur me protestat e paralajmëruara të opozitës.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Letra e Klinton Metës: Do vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me ju”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Shkodër, gjakmarrja: Vritet pastori i kishës”.

Ndërsa në rubrikën “opinion” do të lexoni “Nga Edmond Harizaj/ Përse duhet të dalë sërish në protestë Blendi Klosi?”.

n.e/NOA

KOMENTE