Tiranë, 9 tetor, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka ka reaguar pas komenteve të sotme të zëvendëskryeministrit Ilir Meta, duke i ripërsëritur atij se pa transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk do të ketë reformë zgjedhore.
“Zoti Meta më mirë se të gjithë të tjerët e di se zgjedhjet s’i vodhi kodi, zgjedhjet i vodhi pushteti”, theksoi në një konferencë përë shtyp para pak minutash deputetja socialiste.
Ajo bëri me dije në këtë kontekst se “Nuk ka dhe nuk do të ketë reformë zgjedhore pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të fundit, pa u gjetur përgjegjësitë ligjore e administrative e pa u nxjerrë rekomandimet e nevojshme për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Në këtë kuadër tha Xhaçka, nuk mund të ketë reformë pa patur transparencë.
“Përsa i përket Bashkisë së Tiranës, gjatë dy viteve të fundit ka qenë pikërisht Ilir Meta dhe Sali Berisha, që e kanë marrë peng bashkinë duke i lënë qytetarët e Tiranës pa buxhet, si pasojë e aleancës së tyre në këshillin bashkiak”, sqaroi deputetja e PS-së, Olta Xhaçka.
mit/NOA