English

PS: Prokuroria të hetojë edhe apartamentet e padeklaruara të ministres Bregu, që janë në pronësi vetëm të bashkëshortit

Tiranë, 9 tetor, NOA – Pas nisjes së hetimit nga prokuroria e Vlorës për pasuritë e Albino Prudentinos duke e shtrirë hetimin edhe tek pasuritë e kunatit të Ministres së Integrimit, Ervis Gjeçaj dhe vetë ministres majlinda Bregu, ka reaguar sot edhe selia rozë duke i kërkuar prokurorisë të mos lërë jashtë hetimit edhe një numër apartamentesh të padeklaruar nga ministrja.

Deputetja socialiste Ermonela Felaj theksoi se mosdeklarimi nga ministrja, i pronësisë mbi këto apartamente, por vetëm nga bashkëshorti i saj, përbën një shkelje të ligjit, ku ajo edhe në këtë kontekst bëri me dije se në deklaratën e bashkëshortit të ministres, Namik Ajazi, apartamentet në fjalë janë deklaruar me një vlerë shumë herë më të vogël sesa vlera, që përcakton çmimi i referencës apo çmimi real i tregut.

Në konferencën e sotme për shtyp, deputetja Felaj nënvizoi se apartamentet që duhet të përfshihen nën hetim janë apartamentet e Majlinda Bregut pranë Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilat nuk figurojnë fare në deklarimin e pasurisë së ministres, por vetëm në atë të bashkëshortit të saj.

Sipas Felaj, ministrja ka shelur ligjin"Për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve”, të cilët detyrohen të deklarojnë dhe pasuritë e bashkëshortit/es, qofshin këto brenda ose jashtë Shqipërisë.

Madje deputetja socialiste theksoi se ka një mospërputhje të vlerës reale të apartamenteve, pasi “Në deklarimin e pasurisë së bashkëshortit të ministres, rezulton që vlera me të cilën janë blerë apartamentet të jetë 530 Euro për metër katror. Sipas çmimit të referencës, çmimi për apartamente banimi në të njëjtën zonë e kalon dyfishin e kësaj vlere, 1300 Euro për metër katror, ndërkohë që vlera e tregut është 2000 Euro metri katror, pra afër katërfishi i asaj që bashkëshorti i Ministres së Integrimit, ka deklaruar pranë organeve kompetente”, sqaroi deputetja Felaj.

Ajo i ka bërë thirrje prokurorisë që ndërsa heton pasuritë e familjes së Ministres Bregu, të hetojë edhe këto fakte shqetësuese, për të cilat ajo tha se shpreson që kjo gjë të mos jetë konsumuar për të fshehur nga organet e ligji, burimet e pasurisë së Ministres së Integrimit.

mit/NOA
KOMENTE