Shkup, 9 tetor, NOA - Autoritetet shtetërore në Shkup kanë nxjerrë formulën e re të anëtarësimit të vendit në NATO dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, me emrin aktual ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), ndërsa procesi i mëtejshëm t’i japë zgjidhje përfundimtare kontestit të emrit.
Këto propozime janë mbështetur nga Këshilli shtetëror Negociator i përbërë nga Presidenti, Kryeministri dhe shefi i diplomacisë.
Ato vijnë në një periudhë kur janë shtuar debatet për zgjidhjen e problemit të emrit, para Samitit të NATO-s, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Lisbonë.
“Ndoshta Maqedonia nuk do të marrë porosi pozitive nga samiti i radhës i NATO-s në nëntor, por ne kemi një propozim. Edhe ne nëse do të bënim një lëshim të madh nacional me qëllim të fillimit të negociatave me BE-në, duhet të jemi të sigurt se Greqia nuk do të na bllokoj. Në këtë rast mund të tejkalojmë mosbesimin”, theksoi shefi i diplomacisë, Antonio Milloshoski.
Edhe kryeministri Gruevski në takimin e Këshillit të Evropës ofroi propozimin e tillë që Maqedonia të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe ftesën për çeljen e negociatave me BE-në, dhe pastaj paralelisht të zhvillohen negociatat për zgjidhjen e kontestit.
Propozimi i tij ka marrë mbështetjen e kryetarit ë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Çavushoglu.
Oferta e palës maqedonase ende nuk është komentuar nga institucionet relevante ndërkombëtare dhe se ajo siç bëhet e ditur po shqyrtohet nëpërmjet rrugëve diplomatike, duke përfshirë edhe Athinën zyrtare.
NOA-INA