Unioni i Gazetarëve të Kosovës është takuar me Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë në Tiranë. Krerët e dy organizatave të gazetarëve miratojnë nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi mes dy organizatave
Tiranë, 9 Tetor 2010 NOA - Një përfaqësi e Unionit të Gazetarëve të Kosovës vizitoi gjatë dy ditëve të fundit selinë e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë në Tiranë. Përfaqësia e UGK-së e kryesuar nga kryetari i saj Muhamet Jahiri u prit nga kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH) Aleksandër Cipa.
Në takim u fol për situatën aktuale të mediave në Shqipëri dhe Kosovë, për gjendjen e komunitetit të gazetarëve profesionistë në të dy vendet si dhe për një koordinim mes dy organizatave për shkëmbime të ndërsjella.
Në takimet e dy ditëve gazetarët e Kosovës dhe përfaqësues të UGSH-së diskutuan gjerësisht për kontributin që duhet të japin organizatat e gazetarëve në pasurimin e dijenisë mbi problematikat që spikasin në tregun mediatik shqiptar në krejt hapësirën.
Krerët e UGK-së paraqitën tablonë e zhvillimeve të sotme në tregun mediatik të Kosovës, folën për vështirësitë dhe problemet me të cilat ndeshen në përditshmëri, si dhe për prirjet e sotme të reagimit kundër informalitetit në media.
Nga drejtuesit e UGSH-së u fol për nismat e ndërmarra nga organizata për përmirësimin e përfaqësimit të gazetarëve në raport me institucionet, për krijimin e një force përfaqësimi si partner social në marrëdhënien me pronarët dhe administratorët.
Drejtuesit e dy unioneve shkëmbyen njohjet e tyre, mbështetën idenë për krijimin në të dy shtetet të një strukturë legale për mbrojtjen e përkrahjen sociale e financiare të gazetarëve si dhe u interesuan për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy organizatave për të institucionalizuar lidhjet.
Në takimet e zhvilluara me gazetarë të mediave të ndryshme në Tiranë, u fol për sfidat që ofrohen mes komunitetit në kushtet e zgjerimit dhe krijimit të një tregu mediatik në gjithë hapësirën kombëtare, për shkollën e sotme të gazetarisë shqiptarë si dhe për marrëdhëniet me fakultetet e gazetarisë, prej nga vijnë përfaqësuesit e rinj të saj.
Në takimin e realizuar në selinë e UGSH-së, drejtuesit e UGK-së sugjeruan që përmes memorandumit të cilin do ta nënshkruajnë së afërmi, të krijohet një strukturë koordinimi për paraqitjen periodike të problemeve dhe zhvillimeve që përjetohen në realitetet mediatike të të dy vendeve si dhe të negociohet për një intensifikimin e bashkëpunimit mes gazetarëve profesionistë shqiptarë në krejt hapësirën.
Përfaqësuesit e Unionit të Gazetarëve të Kosovës gjatë vizitës dyditore në Tiranë kanë realizuar edhe dy vizita të tjera. Ata kanë vizituar edhe Institutin e Medies Shqiptare dhe Departamentin e Komunikimit Masiv të një universiteti privat.
e.r/NOA