English

Studimi: Sensi i humorit vdes kur jemi 50 vjeç

Londër, 9 tetor, NOA - Sensi i humorit tek njeriu vdes në moshën 50-vjeçare. Këtë e pohon një hulumtim skocez, sipas të cilit, mosha efektive e grave dhe burrave që janë ende në gjendje të bëjnë humor me situatat dhe vetë jetën, arrin deri në kufijtë e dekadës së pestë, pastaj zvetënohet.

Paskëtaj sipas studimit në fjalë, të realizuar në universitetin e Glamorganit, burrat dhe gratë bëhen gjithnjë e më shumë nervozë dhe nisin të marrin për ters gjithçka, edhe shakatë më të lehta.

E situata më e keqe, bëhet pasi ata kalojnë kufirin e të gjashtëdhjetave, ku nuk duhet t’u flasësh asnjëherë me shaka, por çdo gjë duhet marrë sipas tyre seriozisht.

Shkencëtarët e kanë lidhur faktin e të qeshurit të madh në faza të ndryshme të jetës me idenë se ato janë të lidhura në proporcion me moshën e njeriut.

Kështu, para moshës 20-vjeç, studiuesit kanë vërtetuar sesi njerëzit qeshin më shumë se pas moshës 50-vjeç, e paskëtaj ... "të gjithë drejt greminës”.

Studimi zbuloi gjithashtu se megjithëse një fëmijë që ju e shihni të qeshë ndoshta edhe deri në 300 herë në ditë, jeta e tij me kalimin e kohës bëhet gjithmonë e më pak zbavitëse.

Kështu, në kufirin e moshës 20 deri në 30 vjet, një njeri qesh mesatarisht vetëm katër herë në ditë, ndërsa në kufijtë e moshës 30 deri në 40 vjet, ai do të qeshë edhe deri 5 herë në ditë, pasi ka fëmijët përreth tij.

''Është e rëndësishme gjithsesi, të kujtoni se është mirë të qeshni gjatë gjithë jetës dhe ditëve tuaja, pasi liron hormonin e endorfinës dhe një qeshje çdo ditë është e dobishme për të zvogëluar stresin'', tha Lesley Harbridge nga universiteti i Glamorganit.

n.e/NOA

KOMENTE