Tiranë, 10 Tetor 2010 NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vlerësuar se jemi i vetmi vend në botë ku Qeveria dhe mazhoranca i thotë opozitës: “ti propozo dhe unë do të votoj”.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave në lidhje me situatën politike, Topalli e cilësoi si të çuditshme mënyrën e funksionimit aktual të marrëdhënieve mes dy forcave kryesore politike.
“Nuk ndodh në asnjë vend të botës, jemi i vetmi vend në botë ku Qeveria dhe mazhoranca i thotë opozitës: “ti propozo dhe unë do të votoj”. Jemi vendi unik”, - deklaroi Topalli.
Ndiqni më poshtë prononcimet e plota:
Zonja Topalli, a ndihet e rrezikuar mazhoranca për numrat në Kuvendit për shkak të lëvizjeve të deputetëve nga njëri krah në tjetrin?
Kryetarja e Kuvendit: Siç e shikoni gjatë kësaj periudhe ne kemi realizuar ëndrrën më të madhe të shqiptarëve. Sot Qeveria është më e konsoliduar se asnjëherë, me një axhendë të kthjellët, axhendë integrimi, axhendë për të bërë të mundur që në mes të dhjetorit çdo qytetar, çdo i ri, çdo e re të ketë mundësinë dhe të kapin atë që deri më tani ka qenë “molla e ndaluar”, dimensionin më të madh të lirisë që është lëvizja e lirë. Pas rrëzimit të komunizmit, nuk ka moment më të bukur për të rinjtë, për të rejat, për të gjithë kombin, për shqiptarët në Shqipëri dhe uroj edhe për pjesën tjetër të kombit në Kosovë. Në këtë aspekt, natyrisht ndihemi mirë. Kemi bërë detyrën. Kemi mbajtur premtimin.
Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, i ka dërguar Kryeministrit Berisha një letër ku i kërkon që të gjithë aktorët politikë të fillojnë të merren me zgjidhjen e krizës politike. A mendoni ju se ka tani një zgjidhje për këtë krizë politike, në një kohë kur opozita po bëhet gati për protesta?
Kërkesa themelore është ajo të cilës i kemi kthyer përgjigje vazhdimisht përmes një ftese, ose më mirë përmes ofertës që në asnjë vend të botës nuk është bërë e mundur në përmasa kaq të mëdha. Është një ofertë që i kërkon opozitës që të vijë të bëjë propozimet e saj, të marrë miratimin e institucioneve të specializuara si ODIHR-i apo Komisioni i Venecias për amendamentet, për rekomandimet që jep OSBE/ODIHR-i në raportin e fundit dhe pastaj mazhoranca të votojë këto propozime. Ofertë më të madhe se kjo Kryeministri Berisha dhe mazhoranca nuk mund t’i bëjnë opozitës.
Cila është ftesa e PS për mazhorancën?
Nëse e keni vënë re edhe në deklaratën e djeshme për mediat të OSBE-së, ftesa për opozitën është e qartë: ejani në Parlament, bëni propozimet, marrim miratimin se janë në përputhje me standardet dhe mazhoranca vetëm do të votojë për çdo amendament të opozitës (për Kodin Zgjedhor). Ky është maksimumi që një Qeveri, një mazhorancë mund të bëjnë në të gjitha mundësitë e saj. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, jemi i vetmi vend në botë ku Qeveria dhe mazhoranca i thotë opozitës: “ti propozo dhe unë do të votoj”. Jemi vendi unik.
e.r/NOA