English

Zgjidhja e krizës, Topalli: Opozita të propozojë, ne do t’i votojmë amendamentet

Tiranë, 9 tetor, NOA – Pas letrës, që komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule i dërgoi kryeministrit Berisha ku i kërkoi zgjidhjen e ngërçit politik në vend, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi sot për mediat se mazhoranca i ka bërë një ofertë opozitës që të bëjë propozimet e saj duke marrë miratimin e institucioneve të specializuara dhe mazhoranca të votojë propozimet për amendamentet.

“Kërkesa themelore është ajo të cilës i kemi kthyer përgjigje vazhdimisht përmes një oferte, që i kërkon opozitës që të vijë të bëjë propozimet e saj, të marrë miratimin e institucioneve të specializuara si ODIHR-i apo Komisioni i Venecias për amendamentet, për rekomandimet, që jep OSBE/ODIHR-i në raportin e fundit dhe pastaj mazhoranca të votojë këto propozime”, deklaroi zonja Topalli.

Ajo e cilësoi këtë ofertë të mazhorancës një ofertë të madhe, dhe unike.

Kryetarja e Kuvendit, iu referua sakaq edhe fjalës së kryeministrit Berisha, i cili i bëri thirrje opozitës një ditë më parë “ejani në Parlament, bëni propozimet, marrim miratimin se janë në përputhje me standardet dhe mazhoranca vetëm do të votojë për çdo amendament të opozitës (për Kodin Zgjedhor). Ky është maksimumi që një Qeveri, një mazhorancë mund të bëjë në të gjitha mundësitë e saj. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, jemi i vetmi vend në botë ku Qeveria dhe mazhoranca i thotë opozitës: “ti propozo dhe unë do të votoj”. Jemi vendi unik”, theksoi kryeparlamentarja Topalli.

Ndërsa faktin e lëvizjes së deputetëve në kuvend, pas ikjes nga grupi i mazhorancës i deputetit Paulin Sterkaj drejt grupit kuvendor të PS-së, zonja Topalli nuk e sheh si tkurrje të numrave të mazhorancës, pasi argumenti se mazhoranca është e konsoliduar erdhi pikërisht sipas saj nga bërja realitet gjatë kësaj periudhe e heqjes së vizave.

“Siç e shikoni gjatë kësaj periudhe ne kemi realizuar ëndrrën më të madhe të shqiptarëve. Sot Qeveria është më e konsoliduar se asnjëherë, me një axhendë të kthjellët, axhendë integrimi, axhendë për të bërë të mundur, që në mes të dhjetorit çdo qytetar, çdo i ri, çdo e re të ketë mundësinë dhe të kapin atë, që deri më tani ka qenë “molla e ndaluar”, dimensionin më të madh të lirisë, që është lëvizja e lirë”, tha kryetarja e Kuvendit.

Kryeparlamentarja Topalli duke uruar që heqja e vizave të bëhet realitet edhe për shqiptarët e Kosovës, nënvizoi në këtë suazë, se mazhoranca e ka bërë detyrën e saj ndaj shqiptarëve, ka mbajtur premtimin, që ata brenda këtij viti të lëvizin lirë.

mit/NOA

KOMENTE