English

Beograd, 47 policë të plagosur në paradën Gay Pride

Beograd, 10 tetor, NOA - Përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve kundër një parade në mbrojtje të homoseksualëve u shënuan sot në Beograd.

Në përpjekje për të çarë kordonin policor, që mbikqyrte mbarëvajtjen e paradës, protestuesit u konfrontuan ashpër me forcat e rendit, duke hedhur dhjetra bomba molotov, shishe dhe sende të tjera të forta.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, por protesta vijoi deri në qendër të Beogradit.

Turma e protestuesve përbëhej nga klerikë, njerëz të moshuar, huliganë dhe grupe të rinjsh të ashtuquajtur skinhead.

Një grup të rinjsh sulmoi me bomba molotov zyrat e Partisë Demokratike në pushtet.

Sipas agjencisë Rojter, 47 policë, mes të cilëve njëri në gjendje të rëndë mbetën të plagosur gjatë konfrontimeve. Policia arrestoi dhjetra protestues, të cilët hidhnin parrulla, “Vdekje homoseksualëve”.

Për të mbikqyrur paradën në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve merrnin pjesë rreth 5 mijë forca policore. Një vit më parë parada Gay pride u anullua për shkak të frikës nga incidentet.

mit/NOA
KOMENTE