Gjirokastër, 10 tetor, NOA – Në vijim të turit të tij dyditor në Jug të vendit, kryeministri Sali Berisha ka inauguruar përfundimin e rrugës hyrëse në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, një rrugë e realizuar me investimin e qeverisë prej 34 milionë lekë si dhe shkollën e mesme të Derviçanit, që i kushtoi buxhetit të shtetit, 18.5 milionë lekë.
Kryeministri Berisha ka vizituar të gjitha mjediset e shkollës së Derviçanit, kabinetin e informatikës dhe salla të tjera të shkollës.
Duke e vlerësuar si në shkollë të standardeve evropiane shefi i ekzekutivit premtoi se qeveria do të mbështesë edhe projekte të tjera për zhvillimin e Derviçanit.
“Unë jam sot, këtu, për t’ju dhënë ju fjalën që çdo projekt që kryetari juaj dhe deputeti juaj do të paraqesin për zonën tuaj dhe fshatrat e kësaj komune do të financohet me përparësi nga qeveria ime. Në Dropull inauguruam fillimin e punimeve të ujësjellësit që do të furnizojë me ujë pa ndërprerje 7 fshatra. Sikundër do të financojmë çdo projekt, në mënyrë që jeta juaj, përsa i përket infrastrukturës, rrugëve, ujësjellësve, shkollave, furnizimit me energji, që lagjet tuaja të mos kenë asnjë ndryshim nga lagjet e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Tiranës. Aty, ku do të mundemi, ne do ofrojmë infrastrukturën më moderne”, garantoi kryeministri.
Më pas në fjalën e tij para banorëve të Derviçanit, shefi i ekzekutivit ka rikujtuar se ky është një moment historik për shqiptarët, pasi po afrohet dita e heqjes së vizave.
Në këtë kontekst kryeministri ripërsëriti sa e rëndësishme është heqja e vizave, duke u rikujtuar banorëve të Derviçanit, historinë e tre minoritarëve, të cilët në vitin 1990 u rrekën të kalonin kufirin për të shkuar në Greqi, por u asgjësuan me breshëri automatiku dhe më pas u zvarritën rrugëve të Sarandës në një akt të tmerrshëm që ka mbetur në mendjet e sarandiotëve të etur për të kaluar përdrejt lirisë.
“Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë është liri e madhe, por edhe dinjitet njerëzor, sepse tani do të lëvizni të lirë në mbarë Evropën, do të shkoni të takoni fëmijët, motrat, vëllezërit, njerëzit tuaj, kudo që janë, në Greqi apo Evropë dhe do të ktheheni si njerëz të lirë në vatrat tuaja”, u tha kryeministri banorëve të Derviçanit, që kishin dalë për ta pritur në inaugurimin e rrugës hyrëse për në këtë komunë.
mit/NOA