English

Berisha inauguron ujësjellësin në Dropull: Do të rrisim investimet në infrastrukturë

Dropull, 10 tetor, NOA – Jeta e banorëve në zonat rurale do të arrijë në nivelin e atyre që banojnë dhe në zonat urbane, në sajë të investimeve të qeverisë. Kjo është deklarata që ka bërë mbrëmjen e djeshme kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të fillimit të ndërtimit të ujësjellësit rajonal të 7 fshatrave të Dropullit.

“Unë dua t’ju garantoj ju dhe deputetëve se qeveria do bëj çdo investim, në mënyrë që jeta e këtyre banorëve të bëhet e njëjtë me ato të banorëve të qyteteve. Do të investojmë në çdo rrugë nga Koshovica dhe kudo që ndodhen në këtë zonë dhe çdo zonë tjetër”, tha Berisha.

Ujësjellësi rajonal i 7 fshatrave të Dropullit të Poshtëm është një investim me vlerë 50 milion lekë, nga buxheti i shtetit.

Me këtë investim, së bashku me ujësjellësin rajonal të Dropullit të Sipërm, një investim i përfunduar me vlerë 150 milion lekë, arrihet furnizimi me ujë i 14 fshatrave të kësaj zone.

“Dihet që zona ka pasur probleme kronike me ujin dhe me këtë ujësjellës do ketë ujë në mënyrë të vazhdueshme dhe e garantoj edhe një herë kryetarin se do jetësohet çdo projekt që kryetari, por edhe kryetarët e komunave të tjera do të hartojnë për të lehtësuar, për të përmirësuar jetën e komunitetit në shkolla, në qendra shëndetësore, ujësjellës, në rrugë, në kanalizime dhe çdo projekt tjetër’, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE