English

Berisha pranon: Gati rikthimi i Vasil Bollanos në koalicion me PD

Gjirokastër, 10 Tetor 2010 NOA - Vasil Bollano kupton se ku janë interesat më të mëdha të qytetarëve që përfaqëson”. Deklarata e Berishës erdhi pasi ai u pyet sot në jug të vendit për faktin se kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano deklaroi në media se nuk përjashton mundësinë rikthimit në koalicion me PD.

“E keni parë si është bërë bregu? Ai e kupton se ku janë interesat më të mëdha të qytetarëve që përfaqëson, por në mënyrë absolute, nga ana ime, ka vetëm një ndërhyrje, në rrugë ujësjellës, kanalizime, shkolla, investime, rroga e pensione”, - theksoi kryeministri.

Ndiqni më poshtë bashkëbisedimin e plotë të z.Berisha me gazetarët në kalanë e Gjirokastrës ku ai ndalet veçanërisht në çështjen e liberalizimit të vizave dhe apelon që shqiptarët të mbajnë përgjegjësinë duke mos abuzuar me këtë vendim.

Në media ka dalë letra e dërguar nga komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle. Si e komentoni atë?

Ata, të cilët përdorin letra, në mendjen e tyre si argumente për të mos u angazhuar në zgjidhjen e problemeve, gabojnë shumë rëndë. Ajo është një letër, e cila fton kompletimin e reformës zgjedhore. Kryetarit të opozitës i është thënë harto çdo amendament që dëshiron për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të kesh siguritë më maksimale dhe qeveria t’i votojë ato tërësisht, pa asnjë modifikim, me një kusht që të marrë një opinion në Komisionin e Venecias apo nga OSBE/ODHIR. Kryetari i qeverisë i ka ofruar kryetarit të opozitës konsensusin maksimal, total, të paprecedent në historinë e Europës, ku nuk gjendet kurrë një qeveri që t’i thotë opozitës merr shkruaj amendamentet dhe ti votoj unë. Këtë e bëj se unë udhëhiqem nga respekti për opozitën. Këtë mund ta bëj, po lepurin nga barku, zotit Rama, nuk mund t’ia heq, të jem i sinqertë.

Si do të zgjidhet ngërçi për Gjykatën Administrative. A e cënon kjo biznesin?

Ajo që ka ndodhur me krerët e opozitës shqiptare në raport me këtë projekt, unë ju garantoj se nuk ka ndodhur ndonjëherë në ndonjë vend tjetër, në historinë e bashkëpunimit të USAID-it dhe kjo është gjëja më e papranueshme. Agjencia Amerikane e Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar ka zbatuar në këtë vend me qindra e mijëra projekte, me një total mbi 700 milion dollarë, që të gjitha taksa të qytetarëve amerikanë, dhuratë për qytetarët shqiptarë, por të gjitha të bazuar në një vendim të qeverisë amerikane dhe në një ligj të Kongresit Amerikan. Zoti Edi Rama, me një akt që do ta quaja jashtëzakonisht të papranueshëm, refuzoi të votojë kërkesën insistuese, miqësore të një ligji për të cilin është punuar me ekspertët më të mirë amerikanë dhe europianë, dy vjet rresht. Zoti Rama, e theksova dje dhe e theksoj sërish, gabon në mënyrë fatale, kur mendon se mund të mashtrojë shqiptarët dhe se çdo simite që nxjerr, shqiptarët do ta pranojnë. Ai u tha shqiptarëve se nuk voton ligjin se nuk do t’i bëjë dhuratë Sali Berishës një sistem drejtësie. E kam theksuar dhe theksoj se ky është ofendim që ai u bën qytetarëve shqiptarë, se ai besoj se këta qytetarë mund t’i mashtrojë, mund të shfrytëzojë valët e ekraneve për t’i mashtruar e t’u thotë çdo gjë. Dua t’ju rrëfej një gjë interesante. Vjet, Presidenti Barack Obama iu drejtua Organizatës së Kombeve të Bashkuara me një fjalim shumë të bukur. Pasi foli për rrezikun nuklear e terrorizmin, u tha audiencës se SHBA-të qëndrojnë shumë pas lirive të njeriut, drejtësisë së pavarur, e cila, dua të jem i sinqertë, në rast se nuk do të ishte në vendin tim, nuk do të isha duke folur sot, para jush. E vërteta është se të mendosh se SHBA-të do të investonin paratë e taksapaguesve të tyre për të ngritur këtu një sistem të varur nga kryeministri, ky është një mendim jashtëzakonisht naiv, për të mos thënë primitiv. Atë projekt SHBA-të po e ndërtonin këtu, për të luftuar korrupsionin. 4 vite më parë, ne kemi rënë dakord me qeverinë amerikane që projektet kryesore të Pragut të Mijëvjeçarit të adresohen në luftën kundër korrupsioni. Dhe u vendos prokurimi elektronik, taksa elektronike, sporteli i vetëm për regjistrimin e biznesit, që të gjitha kanë dhënë një rënie dramatike të korrupsionit dhe Gjykata Administrative. Kjo, sepse kur shkon nëpunësi dhe i kërkon para biznesit, nëse do të ketë Gjykatën, problemin biznesi e zgjidh duke mos i dhënë asnjë qindarkë, por në Gjykatë. Gjykata ishte për t’i dhënë fund arbitraritetit. Më duhet të them se këtë vendim e mbajti absolutisht në besnikëri të verbër të etërve të tij, sepse të kthehet një vendim, ndihmë bujare për qytetarët shqiptarë, të taksapaguesve amerikanë, të votuar nga qeveria e Kongresi Amerikan me pretendimin se po i dorëzon drejtësinë Sali Berishën, vetëm etërit e tij shpirtërorë mund të përdorin broçkulla të tilla për t’u justifikuar. Përkundrazi, është shëmbëlltyra që e lejon të marrë vendime të tilla, që e lejon të presë ndihmat për qytetarët shqiptarë, sepse realizimi i këtij projekti bën të mundur Statusin Kompakt, i cili do të thotë qindra milion dollarë ndihma për infrastrukturën, për qytetarët shqiptarë. Së dyti, po të bëhej kjo Gjykatë, ta harrojë se do t’i paguante kush 20 përqind, lepujt merrnin fund, nuk kishte më sekserë të shkonin dhe t’u jepnin 20 përqindëshin për bashkinë, sepse do t’u thoshin, jam në ujdi me pronarin e tokës dhe je i detyruar të më japësh lejen për zhvillim dhe shkon në gjykatë. Në Tiranë nuk jepen lejet, mbahen në xhepa dhe pasi fillon ndërtimi, në përputhje me kontratën që ndërtuesit kanë me pronarin, atëherë u shkojnë lepujt dhe u thonë që të vazhdoni më tutje, duhet të paguani 20 përqindëshin. Sepse po t’ua thoshin që në fillim, tjetri do të hezitonte. Apo siç është edhe puna e 35 kateve. Ndaj ky përbën një akt jashtëzakonisht të papërgjegjshëm. Por unë jam këtu edhe një herë për t’i bërë thirrje ta votojmë ligjin me urgjencë. Ju garantoj se qeveria e SHBA-ve, nëse do kishte vërejtjen më të vogël për ligjin, do t’i thoshte qeverisë shqiptare se ekspertet kërkojnë që ligji të ketë 1, 2, 3 apo 4 ndryshime, por nuk na është kërkuar zyrtarisht asgjë e tillë. Jam unë, që i ka përcjellë ambasadës amerikane qëndrimin tonë që zoti Rama të paraqesë çdo amendament për këtë ligj, ne ia votojmë. Por zoti Rama e ka mendjen tek etërit shpirtërorë, d.m.th tek ajo shtëpia që shikoni aty poshtë [në Gjirokastër]. Ai i qëndroi besnik etërve, nuk mund ta bënte kurrë atë, nuk mund ta bënte pas 20 vitesh, pas qindra e mijërave projekteve të suksesshme. Kjo është e papranueshme.

Në minoritet flitet për lidhjet tuaja me strukturat politike brenda PS-së dhe akuzoheni se mbështesni një krah të PS-së. Si e komentoni këtë?

Ju ishit dje me mua në Derviçan dhe aty ishte i gjithë minoriteti, i të gjitha bindjeve, socialistë, demokratë, të Omonia-s, të PBDNJ-së. Askush nuk i nxori me detyrim, por respekti i tyre për këtë qeveri, e cila po investon në minoritet më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, e cila po punon me ndershmëri të madhe që të ketë një infrastrukturë moderne në këtë zonë, në mënyrë që minoritarët të kthehen e jo të ikin. Minoritarët e jo vetëm ata, por të gjithë shqiptarët kanë nevojë jetike për lëvizje të lirë e kjo ëndërr po realizohet, për shkolla, energji elektrike që të jetojnë si njerëz dhe ne këtë po bëjmë, për rroga e pensione dhe nuk ka qeveri tjetër që t’i ketë rritur më shumë, sesa kjo qeveri. Ndaj ishte i gjithë Derviçani atje. Ata ishin atje, se gjejnë mbështetje te qeveria. Ne respektojmë totalisht dhe tërësisht liritë politike të shqiptarëve. Zoti Ksera është bashkëpunëtori im i vjetër e nuk mund të them se zoti Ksera u bë ministër për inat të këtij apo atij.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano deklaroi në media se nuk përjashton mundësinë rikthimit në koalicion me PD.

E keni parë si është bërë bregu? Ai e kupton se ku janë interesat më të mëdha të qytetarëve që përfaqëson, por në mënyrë absolute, nga ana ime, ka vetëm një ndërhyrje, në rrugë ujësjellës, kanalizime, shkolla, investime, rroga e pensione.

Cila ishte axhenda e vizitës suaj në Derviçan?

Dje isha në Derviçan, ku inauguruam rikonstruksionin e shkollës së mesme dhe fillimin të punimeve në Dropullin e Poshtëm për një ujësjellës të ri, që do të furnizojë me ujë 7 fshatra të kësaj komune. Sot, në mëngjes, inauguruam një nga komplekset më të bukura të arkitekturës jo vetëm në Gjirokastër, por në mbarë Shqipërinë, shtëpinë e Angonatëve, një familje kjo me tradita dhe që i ka dhuruar qytetit një nga ndërtimet më të bukura e dinjitoze të këtij vendi, ndërtim mahnitës në arkitekturën dhe funksionalitetin e tij. Por, siç e patë restaurimi i tërë kompleksit karshi sheshit të Çerçizit po shkon drejt përfundimit, po kështu restaurime të rëndësishme janë bërë edhe në godinat në dy anët e rrugës së Qafës së Pazarit. Qeveria është e vendosur të vazhdojë investimet për restaurimin e qendrës historike dhe historisë shumë të pasur të këtij qyteti, në mënyrë që ajo të konservohet, ruhet e shfaqet para gjithë turistëve nga mbarë bota. Janë investuar dhjetëra herë më shumë, sesa në periudhat e mëparshme dhe këto investime do njohin rritje, sikundër qëndrojmë të vendosur për ripopullimin e qendrës. Unë i kërkova Drejtorit të Institutit të Arkeologjisë të paraqesë projektin dhe ta financojmë me përparësi, të ndërtimit të një dege të universitetit të Gjirokastrës, në mënyrë që të rigjallërohet më shumë sheshi, tregu, rrugët, rrugicat. Veç kësaj, institucionet do të dalin nga gropa atje poshtë e do të vendosen këtu, se është në detyrimin e tyre që të japin shembullin më të mirë për këtë qytet.

Në Gjirokastër, cilat janë investimet e kryera nga shteti?

Pesë vitet e fundit në qarkun e Gjirokastrës janë investuar 62 miliard lekë, janë investuar 17 herë më shumë, se në 8 vitet pararendëse të marra së bashku, janë ndërtuar 292 kilometra rrugë, janë ndërtuar 27 shkolla e kopshte, 23 ujësjellës e kanalizime, si dhe 9 qendra shëndetësore. Brenda këtyre 3 viteve, ne kompletojmë rrjetin rrugor në qarkun e Gjirokastrës. Brenda këtyre 3 viteve, ne lidhim Kardhiqin me Delvinën, Tepelenën, Labërinë me Borshin, Boshtin e Jugut, Tepelenën me Levanin. Maja e Çajupit do të jetë një nga majat e para, sëbashku me Sari Salltëkun në Krujë, që rruga automobilistike e standardeve më të mira do të shkojë gjer në majë, në mënyrë që qytetarët e Gjirokastrës, turistët e sezonit të dimrit që vijnë në këtë qytet të mund të shijojnë të gjitha kënaqësitë e pafundme të dëborës, majës së malit, skive dhe turizmit malor.

Ç’mund të thoni për vlerat kulturore, a ka përpjekje për nxjerrjen e tyre në pah?

Një vëmendje shumë e veçantë po tregohet e do të tregohet me të gjitha vlerat kulturore të qytetit, Antigonenë dhe të gjitha vendndodhjet e tjera të rëndësishme arkeologjike.

Është firmosur marrëveshja për 7 milion euro investime në rrjetin e ujësjellësit të qytetit. Duke ardhur tek ju, një zonjë fisnike mu drejtua e më tha: zoti Kryeministër, ne kemi shumë problem ujin. Iu përgjigja, pavarësisht se ujësjellësi këtu varet tërësisht nga bashkia, qeveria nuk mundet në asnjë rrethanë, ndaj kësaj nevoje jetike të qytetarë të Gjirokastrës, të lajë duart, por është e vendosur të bashkëpunojë me bashkinë dhe është planifikuar 1 miliard euro investime për rrjetin e brendshëm dhe i garantoj qytetarët e Gjirokastrës se po bëhet çdo përpjekje për furnizimin me ujë 24 orë për këtë qytet dhe fshatrat e saj.

Ju ishit dhe në Sarandë, si e shihni këtë zonë tani në aspektin social?

Në këtë vizitë, në sytë e djemve dhe të vajzave, burrave dhe grave të këtij qyteti, të Sarandës dhe kudo që shkova kam gjetur një gëzim të veçantë, kam gjetur qytetarë që sytë u shkëlqenin nga gëzimi dhe kjo është shumë legjitime. Ky gëzim vjen e buron nga shpirti i tyre, për një arritje historike që u jep shqiptarëve liri dhe dinjitet më shumë se çdo vendim tjetër që mund të jetë marrë ndonjëherë për ta. Ne brenda këtij viti do të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Kjo nuk ka ardhur si një dhuratë. Duhet të kemi shumë mirënjohje për vendimin, por, absolutisht, i merituar, është meritë e shqiptarëve, burrave e grave, të rinjve e të rejave, të cilët e ringritën këtë vend nga shkrumbi i diktaturës më shkatërrimtare që Europa e bota ka njohur ndonjëherë. Do të rikujtoj edhe një herë vitin 2001, kur jemi ndodhur në një seancë hearing-u në Parlamentin Europian, të gjithë autoritetet shqiptare, një gazetar, të cilin nuk kam asnjë arsye ta akuzoj si antishqiptar, u ngrit në atë sallë të nderuar dhe i tha audiencës, ç’na duhen këta njerëz, këta nuk kanë as ujë, as drita, ç’na lidh neve me ta. Unë, sigurisht, nuk u ndjeva mirë, por në vetvete u betova se do të bëja çdo gjë që qytetarët shqiptarë të kenë drita 24 orë dhe jam krenar që tani u harrua ndërprerja e dritave, që qytetarët të kenë një nga rrjetet rrugore më të mira në Europë dhe ndjehem shumë krenar e i lehtësuar që brenda këtij mandati nga Valbona në Kakavijë, nga Morina në Konispol, qytetarët shqiptarë do të ecin në rrugë të reja, do të qarkojnë vendin e tyre me rrugë të standardeve europiane. Dje u nisa në 7 të mëngjesit nga Tirana dhe në 11.45 isha në Lukovë. Kur miqtë e mi më pyetën në isha lodhur, iu përgjigja aspak. Dhe jo se jam një fans i madh i udhëtimeve, por sepse rrugët e mira nuk të lodhin.

Parlamenti Evropian pranoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe duket se në nëntor kjo nismë do të marrë formë të plotë. A keni ju ndonjë mesazh për shqiptarët në këtë kuadër?

Vendimi për heqjen e vizave është jo vetëm liri lëvizjeje, nga liri shqiptare në liri europiane, dinjitet i madh për ne, që 20 vite më parë ishim të rrethuar me klone e tela me gjemba, por është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për Gjirokastrën, Sarandën e mbarë vendin. Të gjithë ata, të cilët do të lexojnë se Shqipëria kaloi në listën e bardhë të sigurisë, se për qytetarët shqiptarë, Bashkimi Europian nuk kërkon viza, do të ndjehen tre herë më të sigurt, do kenë dëshirë dy herë më të madhe për të vizituar bukuritë magjepsëse të këtij vendi.

Unë shfrytëzoj këtë rast, për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që këtë akt madhor në historinë tonë ta presim me dinjitetin dhe qytetarinë që na përket. Ata që na votëbesuan ne dhe do të na japin gjatë muajve që vijnë vizat, natyrisht, nuk mund të mos kenë dhe shqetësimin e tyre, sepse si në asnjë vend tjetër, për fatin tonë të keq, në memorien e kohës janë të stamposura eksodet biblike të shqiptarëve. Dua t’u them miqve, dashamirësve që morën këtë vendim se Shqipëria e 20 viteve të mëparshme është vite drite larg me Shqipërinë e sotme, Shqipëria që 20 vite më parë braktisej masivisht nga djemtë e vajzat e saj, sot renditet e 57-ta, si një ndër vendet që jetohet më mirë. Sot, Shqipëria ka një ekonomi që vitin e kaluar, ishte në krye të listës për rritjen ekonomike në Europë dhe këtë vit, vazhdon të rritet. Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme turistike, energjetike, kulturore, njerëzore dhe shqiptarët nuk kanë nevojë të largohen më nga vendi i tyre. E kundërta po ndodh. Shqiptarët po kthehen në Shqipëri. Kjo është e vërteta. Kudo që shkoj e konstatoj këtë. Natyrisht, në këtë akt, çdo qytetar duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Ne nuk mund ta vlerësojmë ndryshe këtë vetëm me një mirënjohje të pakufishme, të udhëtojmë, të takojmë njerëzit, të shëtisim, të vizitojmë e të kthehemi para afatit të caktuar 90-ditor.

Sikundër, nga Gjirokastra, dua të garantoj edhe një herë të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian se qeveria, autoritetet shqiptare procesin e heqjen se vizave e kane vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, por e konsiderojmë këtë proces dhe të gjitha reformat e ndërmarra si një proces pa ndërprerje, sepse ky është një proces që transformoi vendin. Imagjinoni ku ishim 4-5 vite më parë, të dominuar nga bandat e bosët e mafias që kontrollonin porte, aeroporte, qytete, qarqe të tëra. Dhe ku jemi sot. Një miku im do të më merrte në telefon dhe më tha se do të takonte këto ditë kryeministrin e tij dhe do t’i thoshte të vizitonte Shqipërinë se është vend më i sigurt se vendi i tij dhe e kishte fjalën për vendin e tij, anëtar të BE-së. Ne nuk kemi ndërmend të dobësojmë, përkundrazi, ta forcojmë gjithnjë e më shumë luftën kundër korrupsionit. Asnjë vend nuk ka pasur rezultate më pozitive, në një kohë të shkurtër, nga kjo luftë e gjatë, sesa Shqipëria. Në rast se Shqipëria po ndërtohet nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, në rast se Shqipëria ia del të investojë 10 përqind të GDP-së vetëm në rrugë, kjo vjen, para së gjithash e mbi të gjitha, për shkak të luftës kundër korrupsionit. Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, vend që prodhon e eksporton siguri. Djemtë e vajzat e saj janë në frontet më të nxehta të planetit dhe po përmbushin me dinjitet të madh detyrimin. Ne zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme, njëlloj si vendet e tjera evropiane. Qytetarët shqiptarë janë të pajisur me dokumentet më të shkëlqyera, të plota e më moderne. Kufijtë e Shqipërisë kanë sistemet e kontrollit më të shkëlqyer. Qeveria shqiptare të gjitha këto është e vendosur t’i çojë më tej e t’i konsolidojë në interesin më të mirë të zhvillimit të vendit.

FUND

KOMENTE