English

Grabisnin turistët dhe udhëtarët, tre shqiptarë sulmojnë forcat e policisë

Athinë, 10 tetor 2010 NOA – Një grup shqiptarësh që funksionon si bandë kriminale plaçkitjesh të dhunshme në kryeqytetin grek, Athinë, është vënë nën përgjim nga policia dhe tre prej 11 pjesëtarëve u kapën, por prangosja erdhi vetëm pasi të dyshuarit plagosën disa prej uniformave blu gjatë një grabitjeje të radhës.

Korrespondenti i agjencisë NOA informon se të arrestuarit janë tre të rinj shqiptarë, përkatësisht 22, 24 dhe 29 vjeç, që të tre të paligjshëm në Greqi e bashkë me ta janë të dyshuar edhe tetë shqiptarë të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim. Policia refuzoi të publikojë emrat e tyre.

Ngjarja ka ndodhur në stacionin e autobuzëve në Kifisia. Dy prej shqiptarëve, ai 22 dhe ai 29 vjeç, ishin duke u përpjekur të grabitnin portofolët nga dy udhëtarë që prisnin të niseshin me autobus. Në këto momente afrohet edhe 24 vjeçari për t’u ardhur në ndihmë.

Këtë herë, plani shkoi keq sepse forca të shumta policie që i kishin nën vëzhgim dhe prisnin vetëm t’i kapnin me “presh në duar”, u afruan dhe i rrethuan.

Arrestimi i të dyshuarve nuk ishte i lehtë. Gjatë minutave të aksionit, disa prej policëve mbetën të lënduar si pasojë e goditjeve me grushte dhe shkelma nga tre shqiptarët e zënë në krim.

Gjithsesi zona ishte rrethuar dhe shumë forca të tjera u afruan duke neutralizuar situatën dhe vënë në pranga të dyshuarit.

Në aksion u bë sekuestrimi i një çante që i ishte grabitur një udhëtareje, dy portofolëve gjithashtu të vjedhur me dhunë në stacion, një celular, dy bileta autobusi me të dhëna personash të tjerë, 123 euro.

Pas operacionit policia bëri të ditur se banda kriminale ishte instaluar së fundi në stacionin e autobusëve në Kifisia kurse më herët kishin kryer seri grabitjesh në zona të ndryshme turistike, me shënjestra pushues kryesisht të huaj.

Akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit dhe të kërkuarit janë: Krijim organizate kriminale, Pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerje veprash penale në bashkëpunim, Dëmtime me dashje për shkak të cilësisë së veçantë, Grabitje me dhunë kryer në bashkëpunim, shkelje të rendit e qetësisë publike, shkelje të ligjit për emigracionin dhe armëmbajtje pa leje.

n.s/NOA

KOMENTE