Tiranë, 10 tetor, NOA – Pas vendimit të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave dhe afrimit të datës për heqjen e tyre, autoritet shqiptare kanë bërë apel për të shmangur largimet masive. Edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, në lidhje me këtë çështje, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka kërkuar nga qytetarët që të sillen si europianë pas heqjes së vizave.
Gjë që nënkupton respektimin e rregullave dhe mos abuzimin me lëshimet që kanë bërë autoritetet ndërkombëtare. “Pas liberalizimit të vizave duhet të sillemi si europianë. Pas heqjes së vizave do të ketë dhe programe specifike për rininë”, tha sot Haxhinasto në një takim me studentët.
Kreu i diplomacisë shqiptare, gjatë takimit me studentët që do të shkojnë për studime në universitete jashtë vendit, ka theksuar se të rinjtë janë përfituesit kryesor të heqjes së vizave.
Ndërsa i ka cilësuar studentët si ambasadorët e kulturë dhe botës shqiptare në vendet ku ata do të jetojnë gjatë studimeve.
Ministri i Jashtë u shpreh se heqja e vizave është një zhvillim historik i shumë pritur nga shqiptarët.
Ministri i Jashtëm informoi studentët se procesi i liberalizimit të vizave do të shoqërohet edhe me programe të veçanta studimi dhe trajnimi afatshkurtër për të rinjtë, të cilët do të përfitojnë nga projekte të ndryshme që po negociohen me vendet anëtare të BE, si projekti i Lëvizjes Rinore.
Në fund, Haxhinasto iu përgjigj interesit të studentëve lidhur me aspekte të veçanta të procesit të liberalizimit të vizave.
a.k/NOA