Tiranë, 10 tetor, NOA – Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, dhe anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj ka uruar sot të gjithë të rinjtë dhe stafin e pedagogëve e rektorëve në mbarë vendin, që nisin nesër vitin e ri akademik 2010-2011.
Zëvendësministrja e Arsimit tha në fjalën e saj se zhvillimi i shpejtë dhe modernizimi i arsimit të lartë është një nga prioritetet kryesorë të LSI-së dhe të Qeverisë.
Sipas saj rritja e shpejtë e nivelit të arsimit është rruga kryesore për punësimin dhe rritjen e mirëqenies së rinisë shqiptare si dhe për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë.
“Ne synojmë që të rrisim numrin e qytetarëve, që vijojnë dhe përfundojnë arsimin e lartë për t’i paraprirë zhvillimit të një shoqërie dhe ekonomie të mbështetur në dije. Arsimimi i brezit të ri të Shqipërisë sipas standardeve ndërkombëtare mobilizon të gjitha burimet tona njerëzore dhe materiale për t’u vënë në shërbim të këtij qëllimi parësor”, theksoi anëtarja e LSI-së.
Zonja Malaj bëri rikujtoi se “LSI në programin e saj politik e ka shpallur si objektiv liberalizmin e pranimeve të studentëve në universitete i shoqëruar ky me rritjen e cilësisë, që aktualisht përbën një problem kryesor shqetësues për gjithë sistemin e arsimit të lartë. Nesër viti i ri akademik nis me një numër më të madh të studentëve të vitit të parë, që pas mbarimit me sukses të maturës shtetërore tanimë janë në nisjen e startit të studimeve universitare”.
Sipas saj, LSI në partneritet me programin e qeverisë është e vendosur të bëjë të mundur, që shkollat e larta dhe qendrat kërkimore të gëzojnë autonomi të plotë, por kjo e shoqëruar në rritjen e përgjegjësisë publike dhe të llogaridhënies ndaj taksapaguesve dhe shoqërisë.
Në këtë kuadër duhet të implementohen standardet dhe modelet e sotme të autonomisë së shkollave perëndimore.
Këtu zëvendësministrja Malaj, kujtoi se qeveria miratoi tri ditë më parë vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për nevojë të Universitetit “Ismail Qemali” të një hapësire toke bujqësore, që do të përdoret për ndërtimin e një kampusi të ri universita, sipas projektit të paraqitur nga ky universitet. Ajo tha se kjo nismë u mor për të nxitur arsimin e lartë cilësor, ku elementi i infrastrukturës universitare është faktor i rëndësishëm.
Pas kamusit të parë aprovuar nga qeveria si një dhuratë e merituar për Universitetin e Vlorës në prag të fillimit të vitit akademik dhe në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, zonja Malaj ka uruar në emër të LSI-së, edhe Universitetin e Tiranës dhe rektoratin e saj për fillimin e vitit të ri akademik në mjedise të restauruara të fakultetit të drejtësisë dhe të shkencave sociale.
Sipas zëvendësministres Malaj, rritja e numrit të studentëve në vazhdimin e rezultateve të tyre në procesin e mësimit me një numër total rreth 10845 kuota është një tregues tjetër pozitiv, që mbështetet nga politika e LSI-së për të rritur dijet dhe standardet e qytetarëve shqiptarë.
mit/NOA